U nda nga jeta në moshën 72 vjeçare Emine Arifi Bakalli, profesoresha e katedrës së historisë në Universitetin Hasan Prishtina. ish-ministri i Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj: Grua model në emancipimin e gruas shqiptare, që besoi çdoherë dhe i shërbeu gjithnjë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!
Dr. Emine Arifi Bakalli ishte një studiuese e shquar dhe pedagoge me virtyte të larta, e vlerësuar nga breza të shumtë studentësh për profesionalizmin dhe stilin magjepsës të mësimdhënies. Ajo realizoi studime të thelluara në histori dhe dha kontribut të çmuar në Universitetin e Prishtinës për më shumë se dy dekada.
Gjatë viteve 1980-1990, Bakalli luftoi për autonominë e Universitetit të Prishtinës dhe mbajti pozicione të rëndësishme akademike. Ajo është autore e disa librave dhe artikujve shkencorë për historinë e Kosovës, duke përfshirë monografinë: “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1929-1939.”
Ishte anëtare e Këshillit për histori pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe pjesëmarrëse në shumë kongrese e simpoziume shkencore. Emine Arifi Bakalli përmbylli karrierën shkencore me botimin e librit “Drejt Eliminimit të faktorit shqiptarë në Ballkan”. Ajo la pas dy djem, dy mbesa dhe dy nipër.
Mesazhi i ngushëllimit nga ish-ministri i Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj:
"Me dhimbje e mora lajmin për vdekjen e Prof. Dr. Emine Arifi-Bakalli, një nga historianet më të shquara në Universitetin e Prishtinës, studiuese udhëheqëse mbi marrëdhëniet shqiptare-serbe dhe një grua model në emancipimin e gruas shqiptare, që besoi çdoherë dhe i shërbeu gjithnjë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!"
"Pusho në paqe, zonjë e nderuar! Do të të jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin tënd në studimin dhe fuqizimin e identitetit shqiptar! Ngushëllime familjes, miqve dhe studentëve të saj!"