Si sot një vit më parë, forca paramilitare serbe, të planifikuara mjaftueshëm në shtabet e Beogradit për nga numri, armatimi, pajisjet, rezervat, mbështetja dhe aftësimi luftarak, kryen sulmin ndaj focave sovrane të sigurisë së Kosovës në Banjskë, me qëllim hapjen e një fronti lufte me përfshirjen e gjithë makinerisë ushtarake, informative e policore të Serbisë, për të justifikuar ripushtimin e Kosovës, ose të paktën të pjesës veriore të saj.
Për shumë vite, këtij veprimi ushtarak i kishte paraprirë një fushatë e ethshme politike dhe diplomatike, e përllogaritur me shumë imtësi e kujdes, për të përmbysur raportet e Serbisë dhe të Kosovës në opinionin ndërkombëtar.
Synimi i kësaj fushate politike dhe diplomatike ishte, është dhe vijon të mbetet që të zhbëhet fushata ajrore e NATO-s në mars 1999, e kryer me të vetmin motiv për të ndalur spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë në Kosovë, domethënë të ridimensionohet në opinionin publik e diplomatik ndërkombëtar sikur ishte Serbia viktimë e spastrimit etnik, jo Kosova.
Sulmi në Banjska dështoi. Por planet në shtabet e Beogradit janë në sirtarët e tyre në versione të tjera alternative të këtij sulmi, me forma paramilitare, hibride ose ushtarake, apo të gërshetuara së bashku.
Për këtë arsye, diplomacia serbe kreu me intensitet fushatën e vetviktimizimit. Madje, ajo po thellohet dhe do të thellohet.
Këto ditë, pra pikërisht në prag të përvjetorit të sulmit serb në Banjskë, Presidenti i Serbisë Vuçiç, deklaroi se mund ta shpallë Kosovën territor të pushtuar. Pra, shtabet e Beogradit nxorën nga sirtarët një kartë tjetër dhe kjo kartë, siç shkruajnë mediat ndërkombëtare “është një opsion, ndër shumë të tillë, që po shqyrton Vuçiç”. “Në tavolinë është opsioni i shpalljes së okupimit të një pjese të territorit të Republikës së Serbisë, që sjell pasoja të shumta, duke përfshirë përgatitjet për kthimin e zonave të okupuara, për shkak të terrorit me të cilin po përballet populli ynë në Kosovë prej vitesh”, raportojnë mediat serbe.
Sigurisht që strategjitë, taktikat dhe veprimet politike, diplomatike e ushtarake të Serbisë janë nën monitorimin e Perëndimit dhe, në këtë kuadër, edhe të Kosovës e të Shqipërisë. Por çështja duhet parë edhe më gjerë se sa kaq dhe pikërisht se cilat janë e duhet të jenë strategjitë, taktikat dhe veprimet politike, diplomatike e ushtarake më efikase të Kosovës e të Shqipërisë, me qëllim që të mos mbeten në rolin e “rrufepritësit”, por në rol të fuqishëm aktiv, të harmonizuar brenda e midis tyre, si dhe me Perëndimin.
Politikat e jashtme nuk mund të jenë të suksesshme, kur nuk janë të qëndrueshme dhe të përhershme. Për shembull, politika e bashkimit kombëtar nuk mund të jetë dhe as nuk duhet të mbetet një politikë për të fituar zgjedhjet politike. Përkundrazi, ajo duhet të jetë një politikë konsistente. Për më tepër që Shqipëria e ka të detyruar me kushtetutë këtë, e Kosova të detyruar si një ëndërr të përjetshme legjitime. Kjo politikë nuk duhet të katandiset në një parullë të rëndomtë, apo në çështje takimesh të përbashkëta politike për konsum politik.
Nga ana tjetër, politikat e jashtme nuk mund të jenë të suksesshme kur nuk janë të mbështetura fuqishëm me të gjitha burimet dhe instrumentet e mundëshme. Beogradi përgatitet ushtarakisht, jo vetëm me propagandë, por edhe konkretisht, me numër të mirëllogaritur forcash e mjetesh.
Monitorimi dhe prania e Perëndimit ndaj këtyre masave revanshiste sigurisht që është një faktor i fuqishëm në sigurinë mbarëkombëtare shqiptare, por nuk është e gjithë zgjidhja. Ashtu sikurse edhe ledhatimet e lëshimet e Perëndimit ndaj Serbisë “se mos e acarojë si vatër konflikti në dobi të Rusisë”, nuk janë zgjidhje.
Zgjidhja qëndron pikërisht, dhe në radhë të parë, tek faktorët shqiptarë, te kohezioni politik e diplomatik ndërshqiptar për çështjet e sigurisë mbarëkombëtare, te rritja e forcimi i të gjitha instrumenteve në nivelin që të vetgarantojnë këtë siguri.
Siguria mbarëkombëtare, ndonëse term i ri në fushën e sigurisë, në fakt, është pjesë e hershme integrale e politikave të sigurisë së shteteve serioze, pavarësisht nga regjimet e tyre politike. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë përse të mbeten të ndrojtura për ta shprehur dhe përmbushur këtë detyrim sigurie.
Ndërkohë, siguria kombëtare, për të cilën flitet e shkruhet aq shumë, nuk është një kërkesë nacionaliste, por një standard që aplikon çdo shtet demokratik. Madje, është një standard që e kërkon edhe Aleanca Perëndimore ndaj secilit shtet.