Kosova

Aleksandër Vuçiç mobilizon të gjithë shtetin serb që të pengojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Shkruar nga Liberale
Aleksandër Vuçiç mobilizon të gjithë shtetin serb

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i kërkoi të enjten qeverisë së tij të themelojë një grup punues që do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të angazhohet për të penguar miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Ai tha se do të diskutojë me udhëheqës botëror për këto çështje përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, më të cilin pritet të takohet të hënën, për të biseduar mes tjerash forcimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Presidenti Vuçiç, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë serbe për të diskutuar siç tha, “sfidat e rënda” që ndodhen para Serbisë, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët janë zotuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ndonëse theksoi se “shanset e Serbisë” janë të pakta, ai kërkoi që të luftohet për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe që argumenti kryesor të jetë “mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Presidenti serb tha se do të shkojë në Nju Jork, ku me 22 prill mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe për të vazhduar me përpjekjet për të siguruar mbështetje kundër miratimit të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe.

Presidenti serb tha se pret të zhvillojë takime me udhëheqës të rëndësishëm botëror përfshirë një takim me presidentin francez të hënën në Paris.

Ai tha se nga tema do të jetë industria e mbrojtjes.

Serbia, një kandidate për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që ka një nga ushtritë më të mëdha në Ballkan, ende mbështetet në avionët sovjetik si avionët MiG-29 dhe helikopterët MI-35, së bashku me raketat dhe tanket ruse. Ajo ka blerë gjithashtu raketa kineze kundërajrore dhe dronë ushtarak.

Vendi ballkanik pa dalje në det, mbetet ushtarakisht neutral, por ai iu bashkua programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, i përshtatur për vendet që nuk aspirojnë të anëtarësohen në këtë aleancë.

Në janar, presidenti Vuçiq tha se Serbia do të shpenzojë rreth 740 milionë euro për pajisje të reja ushtarake në vitin 2024. Beogradi po zhvillon bisedime për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca, tha ai.

Beogradi kufizoi bashkëpunimin ushtarak me Moskën pasi Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë dhe e ka dënuar agresionin. Por, ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, ajo nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore. Marrë nga VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH