Kosova

Pasojat e përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë: Depresion, shumë prej grave mendojnë vetëvrasjen

Shkruar nga Liberale
Pasojat e përdhunimeve të kohës së luftës në

Interesi për këtë temë mungon në mbarë botën, sepse ne të gjithë punojmë në shoqëri patriarkale, por edhe universitetet, politika, bota studimore ende i përzgjedhin po në formë patriarkale temat që janë për to më interesante.

Deutsche Welle: Medica Mondiale dhe Medica Gjakova publikuan sot (12.09) një studim, më i madhi i këtij lloji për pasojat afatgjata të përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë. Pse u realizua tani ky studim?

Monica Hauser: Po, vërtet ky është studimi i parë për pasojat afatgjata, ka shumë boshllëqe studimore për këtë temë, sepse as institucionet e pavarura dhe as ato shtetërore nuk kanë interes sa duhet për një temë të tillë. Për ne ishte me rëndësi, që tani pas një kohë kaq të gjatë të hulumtojmë dhe të përpunojmë më në fund kaq shumë përvoja prej 25 vitesh të Medica Gjakova. Për ne ishte e qartë që rezultati i tyre ka rëndësi për Kosovën, por edhe për zona të tjera të pasluftës.

Pse mungon ky interes?

Interesi për këtë temë mungon në mbarë botën, sepse ne të gjithë punojmë në shoqëri patriarkale, por edhe universitetet, politika, bota studimore ende i përzgjedhin po në formë patriarkale temat që janë për to më interesante. Për fat të keq na duhet të konstatojmë se një temë e tillë nuk ka prioritet, por për ne kjo temë ka prioritet prej më shumë se 30 vjetësh. Ne kërkuam burimet për të bërë këtë studim dhe tani e bëjmë publik këtë studim.

Çfarë konstatoni në këtë studim, cilat janë gjurmët e kësaj barre që duhet të mbajnë përditë këto gra?

Fjala barrë është shumë e saktë si thoni ju. Është vërtet një barrë shumë e rëndë për gratë edhe pas shumë vitesh në shumë drejtime, kjo ka të bëjë me atë që kanë përjetuar, por edhe si vepron shoqëria sot me to. Tregohet në formë shumë prekëse se si pasojat janë shumë të rënda, edhe pas shumë shumë vitesh. Ne shohim pasoja afatgjata psikike, për shembull më shumë se 73% e pjesëmarrës*ve tregojnë simptoma të shqetësimeve komplekse posttraumatike, që do të thotë se kanë rikthime të rënda të situatës traumatizuese, kanë mendime për vetëvrasje, janë depresive. Më shumë se 96% e tyre, gati të gjitha i përmbushin kriteret e një depresioni klinik. Më shumë se 70% dhanë si përgjigje se kanë ndjenjën, se jeta e tyre nuk ka vlerë të jetohet. 96% flasin për një ndjesi të madhe të frikës. Më shumë se 50% marrin përditë ilaçe qetësuese për të menaxhuar ditën. Pasojave psikike iu shtohen pasojat fizike. Më shumë se gjysma e pjesëmarres*eve e përshkruajnë gjendjen e tyre shëndetësore si shumë të keqe, vuajnë nga dhimbje të  mëdha, dhimbje koke, kurrizi etj. Më shumë se një e treta ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale gjinekologjike.

Shifrat që përmendni ju për pasojat e traumës që vuajnë ato janë tronditëse. Si u ndihmohet këtyre grave sot?

Menjëherë pas luftës ne në qytetin e Gjakovës krijuam qendrën ("Medica Gjakova") që punon në mënyrë interdisiplinare, departamenti gjinekologjik dhe psiko-social punojnë dorë për dore për t'i ndihmuar gratë si duhet dhe plotësisht. Për këto vite kemi zhvilluar një metodë speciale sensibël për stresin, që koleget tona në terren e përdorin, që do të thotë gratë ndihmohen në atë mënyrë që të dalin më të forta, të dalin më të stabilizuara nga kjo terapi, dhe jo si në spitalet shtetërore, ku personeli nuk ka asnjë përvojë dhe pak sensibilitet, e ku gratë aty shpesh lëndohen edhe njëherë./ DW

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH