Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, pasi Forcat Ajrore të Izraelit kanë kryer një sulm të koordinuar në jugperëndim të Iranit, në zonën Mahvaz, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake. Lajmi është konfirmuar përmes një deklarate zyrtare të postuar në platformën X (ish-Twitter), nga zëdhënës të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Sipas deklaratës, rreth 30 avionë luftarakë, të drejtuar me ndihmën e Departamentit të Inteligjencës, kanë lëshuar më shumë se 50 municione mbi objektivat e përzgjedhura me kujdes. Në shënjestër ishin strukturat ushtarake iraniane, përfshirë vendndodhje ku ruheshin lëshues raketash dhe infrastrukturë të ndjeshme ushtarake.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të vazhdojnë të intensifikojnë veprimet ndaj aftësive ushtarake të regjimit iranian, me synimin për të garantuar sigurinë e Shtetit të Izraelit,” thuhet në njoftimin zyrtar të IDF.