Izraeli dhe Hezbollahu kanë arritur marrëveshje për armëpushim, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e miratoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, të martën vonë.
Lajmi u bë i ditur nga zyra e Netanyahut dhe nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Në ndërkohë, avionët luftarakë izraelitë e bombarduan Bejrutin dhe periferitë e tij jugore. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 24 njerëz u vranë në sulme në të gjithë vendin, ndërsa Izraeli la të kuptohej se synon t’i vazhdojë sulmet ndaj Hezbollahut para se armëpushimi të hyjë në fuqi në orën 4 të mëngjesit, sipas orës lokale, të mërkurën.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, duke folur në Uashington, e quajti marrëveshjen “lajm të mirë” dhe tha se administrata e tij do të bëjë përpjekje shtesë për një armëpushim në Gazë.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut shënon hapin e parë të madh drejt përfundimit të trazirave në nivel rajonal, të shkaktuara nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Por, kjo nuk e adreson luftën shkatërruese në Gazë.
Izraeli thotë se do ta sulmojë Hezbollahun me “gjithë forcën” e tij, nëse e shkel armëpushimin.
“Ne do ta zbatojmë marrëveshjen dhe do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo shkeljeje. Së bashku, ne do të vazhdojmë deri në arritjen e fitores”, tha Netanyahu në një adresim televiziv më herët.