Globi

Zgjedhjet presidenciale, Trump takime në Kapitol me ligjvënës republikanë

Shkruar nga Liberale

Zgjedhjet presidenciale, Trump takime në Kapitol me ligjvënës

Ish-Presidentit Donald Trump iu ofrua një mirëpritje entuziaste të enjten, kur u rikthye në Uashington, ndërsa gëzoi mbështetje nga ligjvënës republikanë, pas shpalljes fajtor në gjyqin kundër tij në Nju Jork.

Zoti Trump, që sipas anketimeve është në garë të ngushtë me pasardhësin e tij Joe Biden për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, falenderoi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve në një klub privat pranë Kapitolit, të cilët i kënguan “Gëzuar Ditëlindjen”, pasi të premten ai do të mbushë 78 vjeç.

Ky ishte takimi i parë i zotit Trump me ligjvënësit në Kapitol, që kur la Shtëpinë e Bardhë në 2021 dhe hera e parë që qëndroi në Uashington që kur u shpall fajtor muajin e kaluar për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Gjatë vizitës në Kapitol, në takime të ndara që pati me republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, zoti Trump u duk se tentoi të zbuste ndasitë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ku partia e tij mund të marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të të dyja dhomave të Kongresit.

Trump kritikoi ndihmën amerikane për Ukrainën dhe sugjeroi rritjen e tarifave për të zëvendësuar tatimin mbi të ardhurat ndërsa e cilësoi qytetin ku do të organizohet Kuvendi i Partisë Republikane “të tmerrshëm”.

Pjesëmarrësit thanë se pati një shtrëngim duarsh mes tij dhe kreut të republikanëve në Senat, Mitch McConnell, pavarësisht marrëdhënies të tyre të ftohtë dhe se ai kishte nxitur republikanen Marjorie Taylor Greene që të ishte e sjellshme me kryetarn e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson pas dështimit të përpjekjes së saj për ta larguar nga posti.

“Ka një unitet të jashtëzakonshëm në Partinë Republikane”, tha zoti Trump pas mbledhjes me ligjvënës të Senatit.

Por republikanët e paten të vështirë të jepnin shpjegime pas njoftimeve në disa media se zoti Trump gjatë takimit me dyer të mbylluar e kishte cilësuar Miluakin, një qytet "të tmerrshëm", afërsisht një muaj para se atje të mbahet Kuvendi i Partisë Republikane, ku pritet që zoti Trump të sigurojë emërimin e kësaj force politike si kandidat për zgjedhjet presidenciale.

Një gjë e tillë mund të shkaktojë zemërim tek banorët e qytetit më të madh të Viskonsinit, një nga shtetet që mund të jenë vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.

Një zëdhënës i fushatës presidenciale dhe disa ligjvënës republikanë thanë se zoti Trump po i referohej problemeve të qytetit me krimin dhe manipulimin e votave. Një kontroll jo partiak i zgjedhjeve të vitit 2020 në Viskonsin nuk gjeti prova për parregullsi.

Ligjvënësit thanë se zoti Trump kritikoi paketën e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën që u miratua së fundmi edhe me mbështetjen e republikanëve.

Zotu Trump u tha republikanëve se ata duhet të përkrahnin idenë që secili shtet të ketë politikat e veta lidhur me abortin, më shumë se sa të nxisnin idenë e ndalimit të abortit në nivel kombëtar.

Disa anëtarë të Partisë do donin që aborti të ishte plotësisht i jashtëligjshëm. Disa informacione për këtë lajm u morën nga " Agence France Presse"./ VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH