Emigracioni i paligjshëm është një nga shqetësimet kryesorë të votuesve dhe Trump shihet nga shumica e amerikanëve si personi më i aftë për ta trajtuar këtë problem.
Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump ashpërson retorikën kundër emigrantëve në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Trump i portretizoi emigrantët si kriminelë të rrezikshëm gjatë një mitingu që mbajti në qytetin Aurora në Kolorado. Ai bëri thirrje për dënim me vdekje për ata emigrantë që vrasin qytetarët amerikanë.
“Ne do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të mbyllim kufirin. Do të ndalojmë pushtimin e vendin tonë nga emigrantët dhe do të mbrojmë territorin tonë. Nëse ata kthehen në vendin tonë, do të kenë një dënim me dhjetë vjet burg pa mundësi lirimi me kusht. Unë po bëj thirrje për dënim me vdekje për çdo emigrant që vret një shtetas amerikan ose një oficeri të zbatimit të ligjit”.
I rrethuar nga postera të anëtarëve të bandës kriminale venezueliane Tren de Aragua, Trump tha gjithashtu se nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai do të nisë të ashtuquajturin “Operacion Aurora” për të shënjestruar anëtarët e bandës.