Rusia ka lëshuar një numër rekord të dronëve gjatë natës kundër Ukrainës, thanë Forcat Ajrore ukrainase më 26 nëntor, ndërsa raportuan për dëme të shkaktuara në ndërtesa dhe “në infrastrukturën kritike” në disa rajone.
Ndërkohë, Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet e tyre me dronë dhe raketa, teksa Ukraina raportohet se ka sulmuar Rusinë me raketa amerikane me rreze të gjatë, dhe Kremlini është kundërpërgjigjur duke e sulmuar me një raketë të re balistike hipersonike.
“Në sulmet gjatë natës, armiku kreu një numër rekord të sulmeve me [dronët] Shahed”, thanë Forcat Ajrore ukrainase, duke iu referuar dronëve të prodhimit iranian. Ukraina tha se Rusia lëshoi gjithsej 188 dronë gjatë natës.
Autoritetet ukrainase thanë se kanë rrëzuar 76 dronë rusë në mbi 17 rajone, ndërkaq 95 të tjerë humbën nga radarët e saj apo u rrëzuan për shkak të ndërhyrjes në sistemet elektronike të tyre.
Moska po ashtu ka sulmuar Ukrainën me katër raketa balistike, Iskander-M, sipas Forcave Ajrore ukrainase.