Presidenti amerikan në ikje, Joe Biden i cilësoi si “skandaloze” urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) kundër liderëve izraelitë në një deklaratë të lëshuar të enjten.
“Çfarëdo që të nënkuptojë ICC, nuk ka asnjë ekuivalencë – asnjë – midis Izraelit dhe Hamasit”, komentoi presidenti amerikan në largim, pasi institucioni ndërkombëtar njoftoi lëshimin e urdhrave të arrestit kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe kreut të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Daif, duke i akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
“Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë Izraelit kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, shtoi presidenti i SHBA.
Ndërkohë presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump deri më tani nuk ka reaguar publikisht ndaj urdhër-arresteve, por Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz tha se do të kishte një “reagim të fortë” dhe iu referua “paragjykimit antisemitik” të ICC-së.