Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulmet e tyre më të mëdha me dron kundër njëra-tjetrës që nga fillimi i luftës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka kapur 84 dronë ukrainas mbi gjashtë rajone, duke përfshirë disa që i afroheshin Moskës, gjë që detyroi fluturimet të devijoheshin nga tre aeroportet kryesore të kryeqytetit.
BBC raportoi se forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 145 drone drejt vendit, ku shumica e tyre u rrëzuan.
Sulmet vijnë mes pretendimeve se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump mund të ushtrojë presion mbi të dyja palët për t’i dhënë fund konfliktit.
Përpjekja për sulm të Ukrainës ndaj Moskës ishte gjithashtu sulmi më i madh i saj në kryeqytet që nga fillimi i luftës dhe u përshkrua si “masive” nga guvernatori i rajonit.
Shumica e dronëve u rrëzuan në rrethet Ramenskoye, Kolomna dhe Domodedovo, thanë zyrtarët.
Në Ramenskoye, në jug-perëndim të Moskës, pesë persona u plagosën dhe katër shtëpi u dëmtuan nga zjarri për shkak të rënies së mbeturinave, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.
Ai shtoi se 34 dronë ishin rrëzuar mbi qytet.
Sir Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, i tha BBC-së të dielën se Rusia kishte pësuar muajin e saj më të keq për viktima që nga fillimi i luftës.
Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1,500 të vdekur dhe të plagosur “çdo ditë” në tetor, tha ai.
Ka pasur spekulime intensive se si Trump do t’i qaset konfliktit që nga fitorja e tij në zgjedhje në SHBA.
Presidenti i zgjedhur ka thënë rregullisht në fushatën e tij zgjedhore se mund t’i japë fund luftës “brenda një dite”, por nuk ka ofruar detaje se si do ta bënte këtë.
Një ish-këshilltar i Trump, Bryan Lanza, i tha BBC-së se administrata e ardhshme do të fokusohet në arritjen e paqes në vend që t’i mundësojë Ukrainës të rifitojë territorin nga Rusia.
Në përgjigje, një zëdhënës i Trump e distancoi presidentin e zgjedhur nga komentet, duke thënë se zoti Lanza “nuk flet në emër të tij”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov foli përmes mediave shtetërore të dielën për sinjale “pozitive” nga administrata e ardhshme e SHBA.
Ai pretendoi se Trump foli gjatë fushatës së tij zgjedhore për dëshirën e paqes dhe jo dëshirën për t’i shkaktuar disfatë Rusisë.
Trump ka folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që nga fitorja e tij në zgjedhje, dhe një burim i tha BBC-së se biseda zgjati “rreth gjysmë ore”.
Zelensky ka paralajmëruar më parë kundër dhënies së tokës Rusisë dhe ka thënë se pa ndihmën e SHBA-së, Ukraina do ta humbiste luftën.