Globi

Të paktën 14 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga raketat ruse në Odesa

Shkruar nga Liberale

Të paktën 14 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga

Guvernatori rajonal në qytetin port Odesa, në jug të Ukrainës, njoftoi se si pasojë e një sulmi me raketa të forcave ruse të premten u vranë 14 persona dhe u palgosën 46 të tjerë.

Në një postim me fotografi në llogarinë e tij në median sociale Telegram, guvernatori rajonal Oleh Kiper tha se ndër viktimat ishin disa banorë, një mjek dhe një punonjës i ekipeve të shpëtimit. Ai tha se ndër të plagosurit ishin shtatë punonjës të emergjencave.

Zoti Kiper tha se dy punonjësit e emergjencave që u vranë kishin ardhur në vendngjarje për të ndihmuar viktimat e një sulmi pararendës dhe vdiqën kur një raketë e dytë goditi të njëjtin vend. Ai vuri në dukje se numri i përgjithshëm i viktimave ishte ende duke u vlerësuar dhe se e shtuna do të shpallej ditë zie.

“Rusia është një vend terrorist”, tha ai.

Rusia i ka shtuar sulmet në këtë port jugor që nga gjysma e vitit të kaluar, pasi Kremlini braktisi një marrëveshje që ishte ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, për të transportuar grurin ukrainas nga Odesa dhe përmes Detit të Zi.

Sulmi ndaj Odesës erdhi pasi Ukraina dhe Rusia thanë të premten se rrëzuan dronët e kundërshtarit gjatë natës dhe ndërsa udhëheqësit evropianë u mblodhën në Berlin për të diskutuar për më shumë ndihma për Ukrainën.

Në një postim në mediat sociale, forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 27 dronë të prodhimit iranian. Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të premten se rrëzoi pesë dronë ukrainas dhe dy raketa, të cilat u interceptuan mbi rajonin kufitar rus Belgorod, si dhe mbi rajonin Kaluga në jugperëndim të kryeqytetit Moskë.

Të enjten, dronët dhe raketat e forcave ruse goditën infrastrukturën e komunikacionit në pjesën verilindore të Ukrainës. Zyrtarët në Kiev thanë se u duk si një përpjekje për të bllokuar qasjen tek informacioni.

Sulmi, sipas zyrtarëve, dëmtoi sinjalet e televizioneve dhe radiove në 5 qytete në rajonet Sumy dhe Karkiv.

“Krahas shkatërrimit të objekteve të infrastrukturës, armiku po përpiqet të bllokojë stacionet radiofonike të Ukrainës dhe sinjalin satelitor të televizionit ukrainas", tha Shërbimi Shtetëror i Komunikimit dhe Mbrojtjes së Informacionit.

Agjencia shtoi se sulmi gjatë natës ishte pjesë e përpjekjeve të Moskës për të dëmtuar qasjen e ukrainasve ndaj informacionit të vërtetë.

Guvernatori i rajonit Sumy tha se po punohej për riparimin e sinjaleve radiofonike dhe televizive dhe se ishte bërë e mundur rikthimi i sinjalit telefonik.

Luftimet e fundit ndodhin në një kohë që udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë pritet të takohen në Berlin për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën ndërsa ajo po përballet me rënien e furnizimeve ushtarake.

Dhuna në Ukrainë dhe Rusi ndodh në një kohë që në Rusi po mbahen zgjedhjet presidenciale.

Zgjedhjet nuk paraqesin sfidë për presidentin 71 vjeçar Vladimir Putin, i cili synon mandatin e tij të pestë. Kundërshtarët e tij politikë janë ose në burg ose në mërgim.

Zgjedhjet mbahen në sfondin e një fushate të pamëshirshme që ka gjymtuar median e pavarur dhe grupet e të drejtave të njeriut, gjë që i ka siguruar presidentit Putin kontrollin e plotë të sistemit politik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH