Rritja e pagës mesatare dhe asaj minimale mund të mos mjaftojnë, nëse rritja nuk është reale, e drejtë dhe madje mund të shoqërohen me pasoja negative në ekonomi. Qeveria e çoi pagën minimale në 400 euro dhe premton që paga mesatare të shkojë në 900 euro, por zbatimi i këtij vendimi vlen vetëm për sektorin publik. Nga kriza e çmimeve, rritja e pagës minimale, duket se është kthyer në një prioritet për qeveritë e vendeve më të zhvilluara.
Një shembull vjen nga Britania. Paga minimale është quajtur “Paga Kombëtare e Jetesës” dhe vlen sa 2/3 e pagës mesatare, që do të thotë se nëse do të aplikohej i njëjti standard, në vendin tonë një e tillë do të ishte 600 euro. Por kjo vlen në praktikë, nëse përballohet dhe respektohet nga sektori privat. Në një vend me institucione të forta ligjzbatuese dhe kontrolli është konstatuar se kompanitë dhe bizneset më të mëdha kanë abuzuar përsa i përket respektimit të pagesës së pagës minimale.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka drejtuar gishtin drejt bizneseve ikonike si EasyJet, Greggs, Hamleys dhe Harrods, për të cilët thotë se nuk kanë arritur t'i paguajnë punonjësve pagën minimale.
Më shumë se 500 kompani janë identifikuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për dështimin e pagesës së pagës minimale. Pas një hetimi, “u zbulua se 524 punëdhënës, ndër më të mëdhenjtë dhe më të njohurit, nuk i kishin paguar disa nga punëtorët e tyre për gati 18.7 milionë euro, çka përbën një shkelje të qartë të ligjit Kombëtar të Pagës Minimale (NMË), duke lënë mbi 172,000 punëtorë pa marrë atë që u takon," tha deputeti Kevin Hollinrake.
Punëdhënësit e përmendur përfshijnë markat kryesore të bizneseve të njohura në Britani.
-“Bizneset e përmendura në listë nuk kanë shlyer atë që i detyrohen stafit dhe gjithashtu janë përballur me ndëshkime financiare deri në 200% të nën-pagesës. Hetimet përfunduan midis 2015 dhe 2023” tha Hollinrake, i cili shtoi më tej se, punonjësit meritojnë të paguhen siç duhet për punën e palodhur që bëjnë, por shumë kompani dhe biznese, ndonëse me fitime të mëdha, abuzojnë me të drejtat e punonjësve. – “Ndërsa shumica e bizneseve bëjnë gjënë e duhur dhe i paguajnë punonjësit me aq detyrohen, hetimi i fundit ka nxjerrë në pah se ka edhe raste të shumta abuzimi. Ndërsa jo të gjitha nën-pagesat e pagës minimale janë të qëllimshme, qeveria ka qenë e qartë se kushdo që ka të drejtë të paguhet me pagë minimale duhet ta marrë atë dhe se masa ndëshkimore do të ndërmerren kundër punëdhënësve që nuk paguajnë stafin," shtoi Hollinrake.
Këtë vit mbushen 25 vjet nga miratimi i pagës minimale kombëtare në Britaninë e Madhe dhe rritja e këtij viti e pagës minimale do të bëjë që 16-17-vjeçarët (ata që futen në treg më herët), të kenë një rritje prej 21.2%. Po ashtu këtë vit, qeveria ka përmbushur gjithashtu një angazhim në atë që ajo e quan “Paga Kombëtare e Jetesës” e cila është e barabartë me dy të tretat e të ardhurave mesatare deri në vitin 2024, duke i dhënë fund pagesave të ulëta për orë për ata të moshës 21 vjeç e lart.
Estee Lauder, Greggs dhe EasyJet janë ndër punëdhënësit e hetuar nga qeveria për dështimin e pagesës së punëtorëve me pagën kombëtare të jetesës. Punëdhënës të tjerë në listë përfshijnë kompaninë e rekrutimit Staffline, e cila nuk arriti të paguajë më shumë se 6 milion Euro për gati 34,000 punëtorë. Pronari i kazinosë dhe bingos Rank Group ishte i dyti, duke paguar më pak nga detyrimi plot 5.629 punëtorë, dhe Estee Lauder renditej i treti, me 5,933 punonjës të gjigantit të kozmetikës që morën më pak para se sa duhej.
Zinxhiri i lokaleve Mitchell dhe Butlers, gjigandi i ushqimit 2 Sisters Poultry dhe NHS Highland ishin gjithashtu në mesin e 25 shkelësve më të mëdhenj të ligjit për të respektuar pagat. Emra të tjerë të përmendur në listë janë Game Retail Limited, e cila dështoi të paguajë për 4,979 punëtorë, sipas qeverisë, dhe River Island, kompani e cila u detyrohet 1,007 punonjësve. Dyqani ikonik i lodrave në Londër, Hamleys, dështoi të paguante pagat sipas ligjit për 320 punëtorë.
Si konkulzion, janë këto qasjet që vendet e zhvilluara kanë ndaj sektorit të pagave. Për ndarjen sa më të drejtë të ardhurave, ato nuk duhet thjesht të rriten, por duhet edhe respektuar madje tregu duhet garantuar me rregulla dhe ligje të posaçme. Tregu i punës privat-publik nuk funksionon nëse nuk merret si një në tërësi. Për të dy sektorët, nëse nuk do të ketë konkurrencë të ndershme, jo vetëm rishpërndarja e të ardhurave do të krijojë hendek në shoqëri, por një praktikë e tillë rrezikon të çojë edhe në rënien e produktivitetit, rritjen e varfërisë dhe mundësi më të mëdha për të dekurajuar fuqinë punëtore të largohet në një treg tjetër, të një vendi tjetër ku respektohet vlera e punës dhe garantohet rritja përmes saj. Rritja dhe zhvillimi vijnë rrugëve të zgjuara që zgjedhin qeveritë, por duke u bazuat te puna.