Globi

Reformistët kthehen në krye të vendit pas 20 vitesh në Iran, por çfarë përfaqëson ky grupim politik?

Shkruar nga Liberale
Reformistët kthehen në krye të vendit pas 20 vitesh në Iran,

Në Iran, fitorja befasuese në zgjedhjet presidenciale të ish-ministrit të Shëndetësisë, Massoud Pezeshkian, ka rikthyer në krye të vendit për herë të parë, pas njëzet vitesh, një kandidat nga grupi politik reformist.

Në historinë e Iranit ka qenë në detyrë vetëm një president reformist, Mohammad Khatami, mes viteve 1997 dhe 2005. Më pas, lëvizja u kundërshtua ashpër nga represioni i regjimit, aq sa u konsiderua praktikisht e përfunduar. Por, ndërsa fjala “reformist” në Perëndim ka një kuptim fleksibël, në Iran, domethënia e kësaj lëvizje tregon një qasje dhe rrymë mendimi shumë të saktë.

Të jesh reformist në Iran do të thotë t’i përkasësh formacionit më progresiv të spektrit politik Iranian, i cili në disa mënyra, -vetëm në disa,- ka pika kontakti me një të majtë perëndimore shumë të moderuar.  Një nga propozimet e tyre më të qarta përfshin, ndër të tjera, një afrim progresiv me vendet perëndimore. Pikërisht për shkak të pozicioneve të tyre, prej vitesh ata janë parë në një rol politik jo qendror. Presidenti Ebrahim Raisi, vdekja e të cilit në një aksident me helikopter shkaktoi zgjedhjet e parakohshme, ku fitues u shpall Pezeshkian, vinte nga i ashtuquajturi fraksion ultrakonservator.  

Edhe vetë lidershipi i reformistëve duket se nuk besonte në shanset e tyre për t’u rikthyer në pushtet. Në zgjedhjet parlamentare të marsit, ata nuk mbështetën asnjë kandidat, duke i cilësuar zgjedhjet si “të pakuptimta, jo konkurruese dhe të padrejta”. Prandaj, kandidatura e Pezeshkian dhe fitorja e tij ishin një ndryshim mjaft thelbësor për drejtimin e vendit.

Megjithatë, për ta përshtatur më mirë lëvizjen reformiste, duhet të specifikohet se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira dhe as demokratike; kandidatura presidenciale si ajo e Pezeshkianit, por edhe ato për zgjedhjet parlamentare, duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Këshilli i Gardës, një organ i përbërë prej 12 anëtarësh, gjashtë persona fetarë dhe gjashtë juristë, të kontrolluar nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, autoriteti kryesor politik dhe fetar  në vend, si edhe një nga anëtarët e fraksionit më konservator të regjimit. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, për shembull, 74 nga 80 kandidaturat e propozuara u refuzuan.

Në Iran gjallojnë disa formacione të ndryshme politike, por jo parti reale, të gjitha këto formacione i referohen përafërsisht tre rrymave kryesore të mendimit.

Janë ultra-konservatorët dhe konservatorët, të cilët gjatë viteve kanë favorizuar një distancim të vendit nga Perëndimi. Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei është pjesë e ulra-konservatorëve, siç ishte edhe ish-presidenti Raisi. Ultrakonservatorët janë gjithashtu fraksioni më i fuqishëm në Iran, pavarësisht nëse janë apo jo në qeveri, por vazhdojnë të jenë të përfaqësuar shumë mirë në të gjitha nivelet e aparatit shtetëror.

Pastaj janë të moderuarit, të cilët mund t’i përkufizojmë disi në “qendër”; për shembull, ish-presidenti Hassan Rouhani, i cili në 2015, nënshkroi marrëveshjen historike bërthamore iraniane me administratën amerikane të Barack Obamës. Një marrëveshje kjo, ku SHBA-të, u tërhoqën në mënyrë të njëanshme tre vjet më vonë me vendim të Donald Trump.

Së fundmi, janë reformistët, të cilët pavarësisht se kanë pozicione më progresive, nuk shkojnë kurrë aq larg sa të vënë në dyshim strukturat dhe rregullat e vendosura jodemokratike të Republikës Islamike dhe autoritetin e Liderit Suprem./Përgatiti Liberale.al (R.D)/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH