Globi

Realiteti PIKËLLUES global i femicidit/ OKB publikon shifrat ALARMANTE: Një grua vritet çdo 10 minuta

Shkruar nga Liberale

Realiteti PIKËLLUES global i femicidit/ OKB publikon shifrat ALARMANTE:

Çdo 10 minuta vritet një grua në botë, ky është raporti i publikuar sot nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara.

Raporti i cili u publikua në 25-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, hedh dritë mbi krizën globale të femicideve dhe bën thirrje për veprim urgjent.

Studimet në këtë raport zbuluan se gjatë vitit 2023 në botë, mesatarisht 140 gra dhe vajza janë vrarë çdo ditë nga duart e partnerëve tyre ose nga të afërmit, që do të thotë se një grua vritet çdo 10 minuta.

Raporti thotë se 60 për qind e rreth 85,000 vrasjeve të grave këtë vit janë bërë me motive gjinore.

“Dhuna kundër grave dhe vajzave është forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut. Vrasjet me bazë gjinore të grave dhe vajzave janë forma më ekstreme e dhunës ndaj tyre dhe shpesh janë rezultat i formave të tjera të dhunës që ushtrohen ndaj tyre përbrenda shtëpive të tyre”, thuhet në raport.

“Epidemia e dhunës ndaj grave dhe vajzave turpëron njerëzimin”, tha Sekretari i Përgjithshëm António Guterres në mesazhin e tij.

“Bota duhet ta dëgjojë këtë thirrje. Ne kemi nevojë për veprim urgjent për drejtësi dhe llogaridhënie dhe mbështetje për avokimin”, u shpreh Guterres.

Të dhënat globale tregojnë që një pjesë e madhe e grave të vrara nga partnerët e tyre kishin raportuar më parë raste të dhunës fizike, seksuale apo psikologjike nga partnerët e tyre.

“Shumica dërmuese e vrasjeve të qëllimshme të grave dhe vajzave në botë janë të kryera nga partnerët e tyre apo anëtarët e tjerë të familjes. Kjo lë të kuptohet se shtëpia vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat sa i përket rrezikut nga viktimizimi vdekjeprurës”, thuhet në raport.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme – ajo mund të parandalohet. Duhen ligje të fuqishme, mbledhje më e mirë e të dhënave, më shumë llogaridhënie nga qeveria, një kulturë që nuk ka aspak tolerancë ndaj dhunës dhe fonde shtesë për organizatat për të drejtat e grave dhe institucionet”, deklaroi drejtoresha e organizatës UN Women, Sima Bahous./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH