Globi

PROTAGONISTI i DITËS/ Kush është njeriu që dyshohet se donte të qëllonte Trump

Shkruar nga Liberale
PROTAGONISTI i DITËS/ Kush është njeriu që dyshohet se donte

Rayan Wesley është njeriu i arrestuar të dielën me dyshimin se donte të qëllonte Donald Trump në kohën kur ish-presidenti dhe kandidati republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po luante në klubin e tij të golfit në West Palm Beach, Florida.

Me të qarkulluar emri, gazetat dhe agjencitë e lajmeve gjurmuan dhe analizuan profilet e tij sociale para se ato të pezulloheshin, për të kuptuar bindjet dhe si rrjedhojë edhe motivin e sulmit, për të cilin policia ende nuk ka thënë asgjë. Ai është 58 vjeç, me origjinë nga Karolina e Veriut dhe ka një biznes të vogël ndërtimi në qytetin Greensboro. Disa vite më parë u transferua në Hawaii.

Në llogarinë e tij në Linkedln, ai shkruan: “Unë do ta vlerësoja shumë propozimin për t’iu bashkuar çdo kauze me vlerë të madhe për të sjellë ndryshim të vërtetë për botën”. Gjithashtu, sipas kësaj faqeje, Routh duke se ka një diplomë në inxhinieri mekanike nga Universiteti Teknik dhe Bujqësor i Karolinës së Veriut. Faqja e tij në Linkedln tregon gjithashtu se në vitin 2018, themeloi një kompani të quajtur Camp Box Honolulu që ndërton shtëpi të vogla dhe me kosto të ulët.

Në vitin 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Wesley shkruajti në X se ishte i gatshëm për të “fluturuar në Krakov” dhe të shkonte në luftë si vullnetar kundër Rusisë. Në një video të vitit 2022, transmetuar ditën e diel në mbrëmje në televizionet amerikane, Routh shpjegoi se për shkak të mungesës së përvojës së tij ushtarake, nuk ishte në gjendje të shkonte në front për t’u bashkuar me ukrainasit në luftë. Ai tregonte se ishte përfshirë në organizimin e mercenarëve të huaj që do të luftonin përkrah ushtrisë ukrainase.

New York Times tregon se vitin e kaluar Routh kishte kaluar disa muaj në Ukrainë me qëllimin për të transferuar ushtarë afganë që ikin nga regjimi taleban në vijën e frontit, përmes Pakistanit ose Iranit, duke përdorur pasaporta false. Ai tregonte se shumë qytetarë kishin shprehur interes për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë, edhe pse vazhdon të jetë ende e paqartë nëse ai i vazhdoi më tej planet e tij.

Gjithashtu, në vitin 2023, përgjatë një interviste telefonike me New York Times, Routh tha se ishte në Uashington për një takim me Komisionin e SHBA-së për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur si Komisioni i Helsinkit, për të lobuar për rritjen e mbështetjes ndaj Ukrainës. Komisioni drejtohet nga anëtarët e Kongresit dhe ka shumë ndikim në çështjet e sigurisë.

Për të mbrojtur Ukrainën, Routh bëri thirrje për krijimin e një “ushtrie të madhe civile” të përbërë nga vullnetarë nga e gjithë bota. Në tetor të 2023, i sugjeroi Bonos, këngëtarit kryesor të U2, që të bënte një këngë kushtuar kauzës së ukrainase. “Unë e kam tekstin”, shkruajti ai. Në Signal, Routh shkruajti gjithashtu se “civilët duhet ta ndryshojnë këtë luftë dhe të parandalojnë luftërat e ardhshme” dhe përshkrimi i tij në WhatsApp, raporton New York Times, thotë se “secili prej nesh duhet të bëjë pjesë e tij çdo ditë, duke filluar nga gjërat e vogla, me qëllimin për të ndihmuar të drejtat e njeriut”, lirisë dhe demokracisë; secili prej nesh duhet të ndihmojë kinezët”.

Pas sulmit të korrikut kundër Trump gjatë mitingut të tij në Butler, një qytet në veri të Pittsburgh në Pensilvani, në disa postime Routh, kishte etiketuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris, duke i inkurajuar ata të vizitonin të plagosurit.

“Ju dhe Biden duhet të vizitoni të plagosurit në spital dhe të merrni pjesë në varrimin e zjarrëfikësve të vrarë. Trump nuk do të bëjë kurrë asgjë për ta”.

Në një postim të muajit qershor, të vitit 2020, Routh kishte zbuluar votën e tij për Trump në 2016, por që nga ajo kohë, ishte zhgënjyer dhe për këtë arsye nuk e mbështeste më atë. Referuar të dhënave të votuesve të Karolinës së Veriut, Routh votoi në zgjedhjet paraprake demokrate në marsin e kaluar, duke kontribuar me një shumë prej 100 dollarë në fushatën e demokratëve.

Nga postimet e tij, Routh dukej se ishte mjaft i padurueshëm me këdo që e kritikonte. Kur një luftëtar i huaj amerikan në Ukrainë e përçmoi atë në një mesazh në Facebook që Routh ndau, ai u përgjigj, se njeriu duhej “të pushkatohej”. Ai ka një precedent penal dhe ishte arrestuar për krime të vogla: taksa të papaguara, çeqe të këqija dhe disa ankesa për çështje civile.

Të dhënat e gjykatës vënë në dukje se në vitin 2002 në Greensboro, Karolina e Veriut, një burrë me të njëjtin emër dhe moshë si Routh u pozicionua me një mitraloz brenda një dyqani, por aktualisht është ende e paqartë nëse ai është i njëjti person i arrestuar ditën e dielë, edhe pse nuk dihet akoma se si mund të jenë zgjidhur akuzat ndaj tij me atë rast.

Shumë postime pozitive për Tulsi Gabbard, që kandidoi për president me demokratët në vitin 2020, u gjetën gjithashtu në profilet sociale të tij. Routh shkruan se është i sigurt që Gabbard do të kishte “negociuar pa u lodhur për një marrëveshje paqeje në Siri, Afganistan dhe të gjitha zonat e tjera të luftës”.

Në një postim tjetër në maj të vitit 2020, Routh kishte ftuar Kim Jong Un, udhëheqësin e Koresë së Veriut, të cilin e përshkruan si “shumë inteligjent dhe të kulturuar” në Hawaii për një festë, duke e paraqitur veten si “ambasador” i zgjidhjes së krizës që Koreja e Veriut kishte me SHBA-të.

Në korrik të 2020, gjatë protestave në Hong Kong, Routh dha adresën e tij me qëllimin për të mirëpritur kundërshtarët politikë, ndërsa në shtator të po atij viti u fokusua në persekutimin e kundërshtarëve politikë nga regjimi bjellorus.

Djali i madh i Routh, Oran, i tha CNN se i ati është “një baba i dashur, i kujdesshëm, punëtor dhe një njeri i ndershëm”, duke shtuar, “unë nuk e di se çfarë ndodhi në Florida dhe shpresoj se gjërat të jenë ekzagjeruar, sepse nisur nga ato se çfarë kam dëgjuar, nuk duket se njeriu që njoh mund të bëjë ndonjë çmenduri, aq më pak të dhunshme”. /Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH