Sot mbush njëqind vjeç, Jimmy Carter, presidenti më jetëgjatë i SHBA-së dhe i vetmi që ka kapur një shekull. Carter qeverisi mes viteve 1976 dhe 1981, në një periudhë shumë të ndërlikuar; presidenca e tij u karakterizua mbi të gjitha nga kriza e lidhur me rrëmbimin e 53 punonjësve të ambasadës amerikane në Teheran, ajo që u bë e njohur si “kriza e pengjeve”. Gjatë viteve është kujtuar si një president me qëllime të mira, por pak i aftë për t’i zbatuar ato në praktikë.
Carter lindi në vitin 1924 në një familje fermere në Plains, një qytet i vogël në Georgia. Pasi shërbeu në Marinë, u diplomua në fizikën bërthamore dhe teknologjinë e reaktorëve dhe falë një trajnimi u regjistrua në programin e nëndetësve bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasi u kthye në Georgia iu përkushtua rritjes dhe shitjes së kikirikëve. Në vitin 1962 u zgjodh senator i shtetit dhe në vitin 1971 u bë guvernator.
Në kohën kur filloi të bënte fushatë për zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike në funksion të zgjedhjeve presidenciale të mëvonshme, Carter nuk ishte ndër kandidatët më të shquar, përkundrazi; megjithatë ai fitoi si ato zgjedhje ashtu edhe zgjedhjet kundër kandidatit të Partisë Republikane, Gerald Ford, i cili kishte qenë zv.President i presidencës së Richard Nixon, duke e zëvendësuar atë pas dorëheqjes së tij në vitin 1973, lidhur me skandalin e Ëatergate.
Gjithashtu, për shkak të krizës së pengjeve, humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 1980, duke u bërë një nga të paktët presidentë amerikanë që nuk u rizgjodh për një mandat të dytë, si George H.Ë.Bush dhe Donald Trump. Në çdo rast, Carter arriti të shfrytëzonte ndikimin dhe famën e tij për të mbështetur fushata të shumta të të drejtave civile dhe në vitin 2002 mori Çmimin Nobel për Paqen falë “përpjekjeve të tij dhjetëvjeçare për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet ndërkombëtare”, si ajo që çoi në Marrëveshjen e Paqes mes Izraelit dhe Egjiptit në 1979.
Carter vazhdoi të jetonte në Plains, ku një instalacion në formën e një kikiriku gjigant iu kushtua atij me një buzëqeshje të frymëzuar nga ajo e tija./ Përgatiti Liberale.al/