Ngjarja tragjike e rrëzimit të avionit me 242 pasagjerë në Indi, ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa historitë njerëzore që dalin në dritë janë tepër prekëse.
Theksojmë se në këtë fatkeqësi, e cila ndodhi gjatë fluturimit AI171 nga Ahmedabad drejt aeroportit Gatwick në Londër, humbën jetën të paktën 265 persona.
Por gjithashtu një nga historitë më tronditëse është ajo e familjes së mjekut Prateek Joshi, e cila ishte nisur drejt Londrës për një “fillim të ri”.
Prindërit dhe tre fëmijët e tyre kishin bërë një "selfie" vetëm pak çaste para nisjes së avionit, pa e ditur fatin tragjik që i priste.
Në fotografi shihet mjeku Joshi, bashkëshortja e tij gjithashtu mjeke, dhe tre fëmijët e tyre: dy djem binjakë 5-vjeçarë, Nakul dhe Pradyut, si dhe vajza e tyre 8 vjeçe, Miraya, të gjithë duke buzëqeshur para kamerës.
Bashkëshortja e tij, Komi Vas, kishte dhënë dorëheqjen nga puna në qytetin Udaipur për t’u zhvendosur në Londër me familjen.
“Do të niseshin dje nga Ahmedabad për në Londër. Prateek kishte ardhur dy ditë më parë nga Anglia për të udhëtuar së bashku me gruan dhe fëmijët,” deklaroi një i afërm i mjekut Joshi.
Sipas vëllait të Komi Vas, çifti ishte martuar para dhjetë vitesh dhe kishin tre fëmijë.