Tensionet vijonë të përshkallëzohen midis Izraelit dhe Iranit, ndërsa të dyja palët nisën sulme ndaj njëra-tjetrës gjatë natës.
Irani ka qëlluar me raketa Izraelin qendror dhe verior, ndërsa ushtria izraelite konfirmon se ka kryer një numër sulmesh kundër lokacioneve të infrastrukturës bërthamore iraniane.
Të paktën katër persona janë vrarë në sulmet ajrore ndaj Izraelit, thonë shërbimet izraelite të emergjencës, ndërsa më shumë se 200 të tjerë janë plagosur.
Ministria e naftës e Teheranit thotë se depoja e naftës Shahran në kryeqytet u godit nga sulmet ajrore izraelite.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, po kërcënon me një përgjigje “më të ashpër” nëse Izraeli nuk tërhiqet.
“SHBA-të nuk kishin të bënin fare me sulmin ndaj Iranit sonte”, shkruan Presidenti i SHBA-së Donald Trump në faqen e tij Truth Social, duke shtuar se “ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit”.
BBC raporton se për të dytën natë rradhazi në të gjithë Izraelin u dëgjuan sirena, ndërsa mbrojtja ajrore u përpoq të kapte raketat iraniane.
Në një reagim në platformën X, presidenti i Izraelit tha : Një mëngjes shumë i trishtuar dhe i vështirë.
“Sulmet kriminale iraniane” vranë dhe plagosën “hebrenj dhe arabë, qytetarë izraelitë dhe emigrantë të rinj, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, gra dhe burra”, thotë Isaac Herzog.
Ai shton: “Ndaj dhimbjen e thellë të familjeve dhe pikëllohem për humbjen e tmerrshme. Lutem për shërimin e të plagosurve dhe gjetjen e të zhdukurve. Do të vajtojmë së bashku. Do ta kapërcejmë së bashku.”