Globi

Pamjet e fundit brenda helikopterit që dyshohet se është rrëzuar/ Çfarë do të ndodhë në rast se presidenti i Iranit ka ndërruar jetë?

Shkruar nga Liberale
Pamjet e fundit brenda helikopterit që dyshohet se është

Janë këto imazhet e fundit të Presidentit iranian në helikopter.

Helikopteri me të cilin udhëtonte presidenti i Iranit Ebrahim Raisi është përfshirë në një incident.

Nën frikën për fatet e liderëve të vendit, ngrihet pyetja se çfarë do të ndodhë në rast se presidenti Raisi ka ndërruar jetë.

Sipas ligjit iranian, në rast të vdekjes së papritur të presidentit, roli i tij plotësohet përkohësisht nga zëvendëspresidenti i parë , i cili aktualisht është Mohammad Mokhber, me pëlqimin paraprak të liderit suprem, Ali Khamenei.

Megjithatë, brenda 50 ditëve, vendi duhet të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur një president të ri. 

Çfarë ndodhi?

Televizioni shtetëror iranian tha se ‘ulja e dhunshme’ e helikopterit ndodhi pranë qytetit Jolfa, në kufi me Azerbajxhanin, rreth 500 kilometra në veri të Teheranit. Njoftimet e medias iraniane kanë qenë kontradiktore.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se vendndodhja ishte një ‘pyll’ malor. Televizioni shtetëror transmetoi pamje të makinave që nxitonin nëpër një zonë të pyllëzuar, ndërsa tha se përpjekjet po pengoheshin nga kushtet e këqija të motit, përfshirë shiun e dendur dhe erën e fortë.

Një helikopter shpëtimi u përpoq të arrinte në zonën ku autoritetet besojnë se ishte helikopteri i zotit Raisi, por nuk mundi të ulej për shkak të mjegullës së madhe, tha për agjencinë IRNA zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës, Babak Yektaparast.

Ndërkohë, lajmi për rrëzimin e helikopterit me të cilin udhëtonte zoti Raisi ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve në bordin e avioni presidencial “Air Force One” se Presidenti Biden ishte informuar për situatën. Ajo nuk dha detaje. Departamenti i Shtetit njoftoi se po ndiqte nga afër njoftimet lidhur me një ulje të sforcuar të helikopterit të presidentit iranian.

Katari, Turqia dhe Iraku kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në përpjekjet e kërkim shpëtimit.

63-vjeçari Raisi u zgjodh në postin e presidentit në vitin 2021 pas një përpjekjeje të dytë. Që nga marrja e detyrës, ai ka urdhëruar një shtrëngim të ligjeve të moralit dhe shtypjen e përgjakshme të protestave antiqeveritare. Ai ka bërë përpjekje të forta në rrafshin ndërkombëtar lidhur me aspiratat bërthamore të Teheranit.

Në bazë të sistemit politik iranian, i ndarë mes strukturës klerike dhe qeverisë, fjala e fundit për çështje madhore i takon udhëheqësit suprem të vendit dhe jo presidentit.

Por Presidenti Raisi shihet si një pretendent i fortë për të pasuar mentorin e tij, Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka mbështetur fuqishëm politikat kryesore të Raisit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH