Arrestohet presidenti i shkarkuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol. Ai akuzohet nga autoritetet për kryengritje pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak, që e zhyti vendin në një krizë politike, shkruanjnë mediet e huaja.
Yoon është presidenti i parë në historinë e vendit që arrestohet. Teknikisht ai është ende presidenti, pasi gjykata kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.
Udhëheqësi 64-vjeçar tha se pranoi të paraqitej para Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarë të lartë (CIO) për të shmangur gjakderdhjen. Në një video-mesazh, Yoon tha se do të respektonte hetimin kundër tij edhe pse ishte kundër tij.
“Vendosa të paraqitem para CIO-s, edhe pse është një hetim i paligjshëm, për të parandaluar çdo gjakderdhje”, tha ai.
Më shumë se 1000 oficerë ishin pjesë e operacionit të së mërkurës, i cili shënoi herën e dytë që tentonin ta arrestonin.
Si një ish-prokuror që udhëhoqi Partinë Konservatore të Fuqisë Popullore (PPP) drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2022, Yoon mund të përballet me dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor për kryengritje.
Ai kishte tentuar ta shmangte arrestimin për javë të tëra duke qëndruar në rezidencën e tij, i mbrojtur nga anëtarët e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (PSS) që i kishin qëndruar besnikë. Rojet e tij kishin vendosur tela me gjemba dhe barrikada në rezidencë, duke e kthyer objektin në atë që opozita e quajti “kështjellë”.
Yoon, i cili kishte premtuar të “luftonte deri në fund”, arriti të shmangte përpjekjen e parë për arrestimin e tij më 3 janar, pas një përballjeje të tensionuar disa orëshe midis rojeve dhe hetuesve anti-korrupsion që punonin me policinë.
Por, në orët e hershme të së mërkurës, qindra zyrtarë policorë dhe hetues nga Zyra e Hetimeve për Korrupsion rrethuan sërish rezidencën, disa duke u ngjitur mbi muret rrethuese dhe duke kaluar shtigje të fshehta për të arritur te ndërtesa kryesore.
Pas një përballjeje rreth pesë orëshe, autoritetet njoftuan se Yoon ishte arrestuar dhe lideri i shkarkuar publikoi një mesazh të regjistruar paraprakisht.