Globi

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet e rralla/ Cilat janë qëndrimet e Trump dhe Zelenskyt

Shkruar nga Liberale

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet e rralla/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet e rralla.

Mediet ndërkombëtare kanë raportuar më herët se, marrëveshja nuk do të përfshijë garanci të rëndësishme sigurie për Ukrainën.

Sipas Trump, marrëveshja do t’i lejojë SHBA-së të rikuperojë qindra miliarda dollarë të shpenzuar për ndihmën ushtarake ndaj Kievit. Bisedimet intensive për marrëveshjen kanë vijuar për disa ditë, me Zelenskyyn që ka kërkuar garanci sigurie nga SHBA për të mbrojtur Ukrainën nga pushtimi rus.

Marrëveshja parashikon krijimin e një fondi të përbashkët midis SHBA-së dhe Ukrainës, që do të sigurojë të ardhura nga minierat e metaleve të rralla dhe burimeve të tjera të çmuara në Ukrainë, përfshirë naftën dhe gazin.

Trump konfirmoi gjatë një takimi të kabinetit të mërkurën se Zelenskyy do të mbërrijë në Uashington të premten për të nënshkruar këtë “marrëveshje shumë të madhe”.

Mediat kanë raportuar se Ukraina kishte refuzuar më herët një draft të marrëveshjes që do të vendoste një fond të përbashkët 100% në pronësi të SHBA-së. “Unë nuk do të nënshkruaj atë që 10 brezat e ardhshëm të ukrainasve do të duhet të paguajnë,” deklaroi Zelenskyy në një konferencë për shtyp të dielën.

Duke u ndalur te garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, Trump tha: “Ne nuk do të ofrojmë garanci sigurie. Ne do ta bëjmë Evropën ta marrë përsipër këtë.” Ai gjithashtu u shpreh se Ukraina duhet të harrojë anëtarësimin në NATO, duke përsëritur pretendimin se kjo çështje ishte një nga arsyet e luftës.

Ndërkohë, Zelenskyy e përshkroi marrëveshjen si “paraprake” dhe si një “fillim të mirë”. Ai gjithashtu theksoi se nëse do të vizitonte Shtëpinë e Bardhë të premten, do të kërkonte qartësi mbi mbështetjen e SHBA ndaj Ukrainës.

“Nëse nuk marrim garanci sigurie, nuk do të ketë armëpushim,” tha ai.

Komentet e Zelenskyy vijnë mes refuzimit të vazhdueshëm të Rusisë për praninë e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e cilësoi propozimin e vendeve evropiane për dislokimin e trupave si një “mashtrim” për të armatosur më tej Ukrainën dhe për ta afruar atë më shumë me NATO-n.

Sipas raporteve, liderët evropianë do të takohen në Londër të dielën për të diskutuar çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë mundësinë e vendosjes së trupave evropiane në Ukrainë pas një armëpushimi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH