Presidenti rus Vladimir Putin nuk planifikon të urojë Donald Trump-in për fitoren e zgjedhjeve presidenciale.
Kështu deklaroi të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, pasi ish-presidenti amerikan ishte në prag të sigurimit të një mandati të dytë në Zyrën Ovale.
Ndërkohë liderët botërore, duke përfshirë Macron, Zelensky, Von der Leyen, Erdogan, etj, uruan Donald Trump pë fitoren, ndërsa ofruan bashkëpunim të ngushtë me të.
"Unë nuk jam në dijeni të ndonjë plani të presidentit për të uruar Trump," u tha Peskov gazetarëve menjëherë pasi Trump pretendoi një fitore "madhështore" ndaj kundërshtarit të tij demokrat dhe zëvendëspresidentes së SHBA Kamala Harris.
“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jomik që është i përfshirë direkt dhe indirekt në një luftë kundër kombit tonë,” shtoi ai.
Moska ka cilësuar dhjetëra vende si "jomiqësore" lidhur me veprimet që i konsideron armiqësore ndaj interesave të Rusisë, duke përfshirë sanksionet ekonomike dhe mbështetjen për Ukrainën, ndërsa mbrohet nga forcat pushtuese ruse.
“Meqenëse Shtetet e Bashkuara ushqejnë dhe marrin pjesë në këtë konflikt, atëherë po, Shtetet e Bashkuara janë të afta të ndryshojnë trajektoren e kësaj politike të jashtme”, tha Peskov, duke iu referuar luftës së vazhdueshme në Ukrainë. “Nëse do të bëhet dhe si do të bëhet, ju dhe unë do ta shohim pas [inaugurimit të Trumpit në] janar.”