Një pasagjer britanik, Jamie Ray Meek, ndau një video të fundit në Instagram vetëm pak çaste para se të merrte fluturimin fatkeq të Air India, AI171.
Videoja, e cila tani është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, e tregon Jamie Ray Meek duke buzëqeshur në aeroportin e Ahmedabad-it, teksa i thotë lamtumirë Indisë dhe reflekton mbi udhëtimin e tij.
“Jemi në aeroport, gati për t’u nisur. Lamtumirë Indi, në një fluturim 10-orësh për në Londër,” dëgjohet të thotë Meek në video, teksa duket i qetë dhe i gëzuar.
Ndërsa bisedon me partnerin e tij, që shfaqet shkurtimisht, ai shton: “Mësimi më i madh që mora është të mos e humbasësh durimin me partnerin tënd,” ndjekur nga një buzëqeshje e butë dhe fjalët: “Po kthehem i lumtur, i lumtur, i lumtur dhe i qetë.”
Jamie Ray Meek, ishte një nga 53 shtetasit britanikë në bord të fluturimit Air India AI171, një Boeing 787-8 Dreamliner që ishte nisur nga Ahmedabad drejt aeroportit Gatwick në Londër, por që u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes, pasditen e së enjtes. Fluturimi ishte nisur në orën 13:38, duke mbartur 242 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, përfshirë 169 shtetas indianë, 7 shtetas portugezë dhe 1 shtetas kanadez.
Kryeministri Narendra Modi e quajti incidentin tejet tragjik, duke shprehur keqardhjen e tij në një deklaratë publike: “Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe na ka trishtuar shumë. Në këtë orë të trishtë, mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit.” Ai shtoi se ministrat dhe autoritetet po punojnë në terren për të ndihmuar të gjithë të prekurit.