Globi

Joe Biden i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për herë të fundit si president

Shkruar nga Liberale
Joe Biden i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të

Presidenti amerikan Joe Biden mbajti fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Fjalimi i së martës vjen ndërsa ai po përpiqet të përdorë ndikimin e tij për të siguruar vazhdimësinë e mbështetjes për Ukrainën dhe ndaljen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Duke kujtuar periudhat e vështira në të kaluarën dhe sfidat e tanishme, Presidenti Biden shprehu optimizmin e tij për të ardhmen e botës.

“E di se shumë kur e shohin botën e sotshme, shohin vështirësi dhe reagojnë me dëshpërim, por unë jo”, tha Presidenti Biden.

Duke bërë thirrje për qëndresë ndaj forcave që historikisht janë përpjekur të krijojnë ndasi në botë, Presidenti Biden rikujtoi parimin themelor të OKB-së, që është ai kundër agresionit. Ai shfrytëzoi mundësinë për të bërë thirrje për një mbështetje të fuqishme për Ukrainën, mbështetje e cila mund të ndryshojë në varësi të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

“Lajmi i mirë është se lufta e Putinit ka dështuar dhe në objektivin e tij themelor. Ai u nis që ta shkatërrojë Ukrainën, por Ukraina është ende e lirë… A do ta vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën që ta fitojë këtë luftë dhe ta ruajë lirinë e saj, apo do ta lëmë agresionin të vazhdojë dhe një vend të shkatërrohet? Unë e di përgjigjen time. Nuk mund të lodhemi. Nuk mund ta kthejmë vështrimin gjetiu dhe nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, tha Presidenti Biden.

Ndërsa, Izraeli dhe Hezbollahu po shkojnë drejt një lufte të gjerë dhe operacioni i Izraelit kundër Hamasit në Gazë do të mbushë së shpejti një vit, Presidenti Biden dënoi sulmin e paprovokuar të Hamasit në 7 tetor, si dhe dhunën në rritje ndaj palestinezëve dhe vuri në dukje rrezikun e vazhdueshëm nga Irani.

“Duhet të krijojmë kushtet, përfshirë një zgjidhje me dy shtete, ku bota, ku Izraeli përjetojnë siguri, paqe, njohje të plotë dhe normalizim të marrëdhënieve me fqinjët; ku palestinezët jetojnë në siguri, dinjitet dhe vetëvendosje në një shtet të vetin”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Biden e filloi mandatin e tij me premtimin për të rigjallëruar marrëdhëniet dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në pjesë të ndryshme të globit dhe për një tërheqje nga “luftërat e përhershme” në Afganistan dhe Irak, që patën konsumuar politikën e jashtme amerikane për gati 20 vjet. Megjithëse i arriti këto dy objektiva, trashëgimia e politikës së tij të jashtme mund të përkufizohet nga reagimi i administratës së tij ndaj dy konflikteve më të mëdha në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, që nga Lufta e Dytë Botërore./ VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH