Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni është e para ndër liderët e vendeve të Bashkimit Europian që ka pozuar në krah të Donald Trump si President.
Pasi mori pjesë në ceremoninë për inaugurimin e tij, Meloni postoi në rrjetet sociale një foto krah Trump, duke rikonfirmuar edhe njëherë marrëdhënien miqësore mes tyre dhe mbështetjen e administratës së re në Uashington ndaj Romës si partnere strategjike në Europë.
“Jam i sigurt se miqësia mes kombeve tona dhe vlerat që na bashkojnë do të vazhdojnë të forcojë bashkëpunimin mes Italisë dhe SHBA-së, duke përballuar sfidat globale së bashku dhe duke ndërtuar një të ardhme prosperiteti dhe sigurie për popujt tanë”, tha Meloni përmes një postimi në platformën ‘X’.
Udhëheqësja tha se vendi i saj “do të jetë gjithmonë i përkushtuar për të konsoliduar dialogun” midis Evropës dhe SHBA-së.
Meloni ishte një nga disa liderët botërorë që Trump ftoi për të marrë pjesë në inaugurimin e tij në Uashington. Ajo u pa e ulur pranë Presidentit të Argjentinës Javier Milei.
Në fillim të këtij muaji, Meloni udhëtoi posaçërisht nga Roma për të takuar Donald Trump në kompleksin e tij në Mar-a-Lago të Floridas.