Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Brisbane të Australisë, ku një CEO 58-vjeçar është vrarë me thikë gjatë një feste në banesën e tij. Viktima është Greg Josephson, bashkëthemelues i kompanisë së njohur të veshjeve “Universal Store”.
Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, gjatë një feste ku ishin të pranishëm rreth 30 adoleshentë në vilën e Josephson në lagjen elitare Clayfield. Sipas policisë së Queensland-it, viktima dhe autori i dyshuar, një djalë 15-vjeç, njiheshin më parë, ndërsa mes tyre ka shpërthyer një konflikt rreth orës 20:15.
I riu dyshohet se ka përdorur një send shtëpiak për të goditur për vdekje Josephson. Kur policia mbërriti në vendngjarje, drejtuesi i kompanisë ishte në gjendje kritike dhe më vonë u shpall i vdekur në vend.
Adoleshenti u arrestua vetëm dy blloqe larg nga shtëpia dhe u akuzua për vrasje. Ai po mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht dhe pritet të dalë para gjykatës për të mitur në Brisbane të premten në mëngjes.
Vila luksoze me tre kate, gjashtë dhoma gjumi dhe gjashtë banjo ishte blerë nga Josephson në vitin 2016 për 1.25 milionë dollarë. Pas një rinovimi në vitin 2022, vlera e saj është rritur në mbi 3.2 milionë dollarë. Së fundmi, ai e kishte nxjerrë në shitje me qëllim zhvendosjen e familjes drejt Noosa-s, rreth dy orë në veri.