Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump ka shprehur interesim në dy pikat e Planit të Fitores së presidentit ukrainas gjatë takimit të tyre që patën më 24 shtator. Kështu shkruan në një artikull Financial Times.
Në artikull thueht se zyrtarët ukrainas dhe ata evropianë thanë se aleatët e Ukrainës në Evropë dhe SHBA – përfshirë politikanët me ndikim në radhët e Republikanëve – i kanë dhënë këshilla presidentit ukrainas lidhur me formulimin më të mirë të propozimit që do të nxiste një bashkëpunim më të ngushtë mes SHBA-së dhe Kievit, transmeton Telegrafi.
Sipas njerëzve të përfshirë në zhvillimin e planit të fitores së Ukrainës, plani synonte veçanërisht Trumpin dhe dy nga idetë e sugjeruara nga aleatët e Ukrainës u përfshinë në të. Këto propozime iu paraqitën më vonë Trump kur Zelensky u takua me të në Nju Jork në shtator.
Njëri prej tyre parashikonte zëvendësimin e disa prej trupave amerikane të stacionuara në Evropë me trupa ukrainase pas luftës.
Tjetri – i zhvilluar fillimisht nga senatori republikan Lindsey Graham, një aleat i Trump, sipas njerëzve të përfshirë në hartimin e Planit të Fitores – propozoi ndarjen e burimeve natyrore kritike të Ukrainës me partnerët perëndimorë. Trump ishte i “interesuar” në këto dy pika, sipas një personi që ishte pjesë e takimit mes dy liderëve.