Globi

Erdogan pret në takim liderin e Hamasit, diskutojnë përpjekjet për paqen rajonale

Shkruar nga Liberale

Erdogan pret në takim liderin e Hamasit, diskutojnë

Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan diskutoi përpjekjet për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe arritjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në rajon, gjatë një takimi me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh në Stamboll të shtunën.

Kështu deklaroi zyra e shtyit të presidentit Erdogan. Ky ishte takimi i parë midis Erdoganit dhe një delegacioni të Hamasit, të kryesuar nga Haniyeh që kur Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës.

Vizita e Haniyeh në Turqi u bë tre ditë pasi ai u takua me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Doha.

“U diskutuan çështjet që lidhen me sulmet e Izraelit në tokat e Palestinës, veçanërisht në Gaza, përpjekjet për dërgimin e duhur dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare në Gaza dhe një proces paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon”, tha presidenca turke në një deklaratë.

Theksojmë se vizita u zhvillua në mes të tensioneve rajonale të përshkallëzuara pas sulmit të raportuar të Izraelit ndaj Iranit këtë javë.

“Erdogan theksoi se Izraeli nuk duhet të përfitojë nga zhvillimet (midis Iranit dhe Izraelit) dhe se është e rëndësishme të bëhen përpjekje që do të tërheqin sërish vëmendjen ndaj Gazës”, shtohet më tej në deklaratë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH