Globi

ANALIZË nga VOA: E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e Trump

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga VOA: E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e Trump

Aleatët e NATO-s po përgatiten për marrëdhënie transatlantike potencialisht të trazuara pas fitores së zgjedhjeve presidenciale amerikane nga republikani Donald Trump. Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Presidenti Trump vuri në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s dhe qortoi vazhdimisht aleatët se kishin dështuar të shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtjen. Por siç raporton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, shumë vende evropiane po i bëjnë jehonë thirrjeve për rritjen e shpenzimeve ushtarake përballë kërcënimit nga Rusia

Këtë javë, zyrtarët amerikanë morën pjesë në hapjen e një baze amerikane në Poloni për mbrojtjen nga raketat balistike, që ishte planifikuar të hapej në vitin 2008. Varshava zyrtare e vlerësoi angazhimin e treguar nga presidentët amerikanë.

“Shtetet e Bashkuara janë me të vërtetë një garantues i sigurisë së Polonisë, si dhe të gjithë aleancës së Atlantikut të Veriut”, deklaroi presidenti polak.

Fjalë të ngrohta për Uashingtonin, por nën sipërfaqe ka shqetësime mbi angazhimin e presidentit të ardhshëm amerikan lidhur me sigurinë e Evropës. Në vitin 2017, zoti Trump e cilësoi NATO-n si “të vjetëruar” dhe kritikoi vazhdimisht aleatët e aleansës.

“Njëzet e tre nga 28 vendet anëtare ende nuk po paguajnë atë që duhet të paguajnë për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e drejtë për taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ai gjatë mandatit të parë, në maj të viti 2017.

Në takimin e NATO-s të vitit 2018, aleatët thanë se zoti Trump kërcënoi se do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga aleanca nëse vendet evropiane nuk do të rrisnin shpenzimet ushtarake. Në atë kohë zoti Trump pretendoi se pati sukses.

“Të gjithë kanë rënë dakord për të rritur ndjeshëm angazhimet e tyre. Ata do të rrisin shpenzimet në ato nivele që nuk i kanë menduar kurrë më parë”, deklaroi zoti Trump në atë kohë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale zoti Trump shkaktoi sërish tronditje për NATO-n.

“Një nga presidentët e një vendi të madh më pyeti: ‘Zotëri, nëse nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?’ Unë i thashë: ‘Nuk keni paguar? Ai tha: ‘Jo’. Jo, nuk do të të mbroja. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Ju duhet të paguani, ju duhet të paguani faturat tuaja.”

Aleatët e NATO-s mund të përballen me një trysni të re për të shpenzuar më shumë kur zoti Trump të marrë detyrën, thotë Fabrice Pothier, një ish drejtues i planifikimit të politikave të NATO-s.

“Nuk jam aq i sigurt se mund të flasim për një kërcënim ekzistencial për NATO-n, si në vitin 2018. Por mund të them se ai do të kërkojë marrëveshje të vështira. Jo vetëm për të arritur pak a shumë objektivin e shpenzimeve ushtarake, por ndoshta për të pëgatirur terrenin për rritjen e shpenzime me 2.5 ose 3% gjatë takimit të ardhshëm të NATO-së që mbahet në qershor në Hagë”, thotë ai.

Një qasje e tillë ka të ngjarë të mirëpritet nga shumë shtete evropiane, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Aleatët e frontit lindor si Polonia, për shembull, por edhe vendet baltike dhe madje edhe vendet nordike tani po e shohin këtë si një gjë të mirë. Por unë mendoj se ka ende disa shqetësime në të gjithë aleancën kur flitet për shpenzimet që mund të minojë besueshmërinë e mbrojtjes kolektive”, thotë Fabrice Pothier, një ish drejtues i planifikimit të politikave të NATO-s.

Zoti Trump ka emëruar Matthew Whitaker si kandidat për postin e ambasadorit amerikan në NATO. Në një deklaratë me shkrim, zoti Trump thekson se Whitaker “do të forcojë marrëdhëniet me aleatët tanë të NATO-s” - dhe se ai “do t’i jap përparësi Amerikës”. Emërimi i tij duhet të konfirmohet nga Senati. /VOA/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH