Globi

Deklaruan në mënyrë të rreme se Trump i fitoi zgjedhjet në Arizona në vitin 2020, aktpadi ndaj 11 republikanëve

Shkruar nga Liberale

Deklaruan në mënyrë të rreme se Trump i fitoi zgjedhjet

Njëmbëdhjetë republikanë që paraqitën një dokument në Kongres duke deklaruar në mënyrë të rreme se republikani Donald Trump mundi demokratin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Arizona, përballen me aktakuza për komplot, mashtrim dhe falsifikim. Arizona është shteti i katërt që ngre akuza kundër “elektorëve të rremë”.

Të njëmbëdhjetë personat që ishin emëruar për të qenë elektorë republikanë të Arizonës u takuan në Feniks më 14 dhjetor 2020, për të nënshkruar një certifikatë ku thuhej se ata ishin “elektorë të zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe të kualifikuar” dhe duke pretenduar se zoti Trump i kishte fituar zgjedhjet në atë shtet.

Një video nga ajo ceremoni nënshkrimi u postua në atë kohë në rrjetet sociale nga Partia Republikane e Arizonës. Certifikata më pas iu dërgua Kongresit dhe Arkivit Kombëtar, por nuk u mor parasysh. Padi janë ngritur edhe ndaj shtatë të tjerëve, emrat e të cilëve do të bëhen publik pasi ata të njoftohen zyrtarisht.

Zoti Biden i fitoi zgjedhjet në Arizona me më shumë se 10,000 vota. Nga tetë paditë që sfiduan pa sukses fitoren e zotit Biden në atë shtet, njëra u ngrit nga 11 republikanët të cilët më vonë do të nënshkruanin certifikatën që e shpallte zotin Trump si fitues.

Padia e tyre i kërkoi një gjykate që të anulonte certifikimin e rezultatit që i dha demokratit Biden fitoren në Arizona dhe ta bllokonte shtetin që t’i dërgonte dokumentet në Kolegjin Zgjedhor.

Gjykatësja e qarkut, Diane Humetewa, e hodhi poshtë padinë e republikanëve duke argumentuar se nuk kishte baza ligjore, kishin pritur shumë gjatë për ta ngritur çështjen e tyre dhe kishin “dështuar që të ofronin para gjykatës fakte që mbështesnin pretendimet e tyre të jashtëzakonshme”.

Disa ditë pas rrëzimit të padisë, të 11 republikanët morën pjesë në nënshkrimin e certifikatës. Aktpaditë në Arizona vijnë pas padive të ngritura kundër elektorëve të rremë në shtete të tjera, mes tyre Nevada, Miçigani, Uiskonsin, Xhorxhia, Pensilvania dhe Nju Meksiko.

Marre nga VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH