Globi

Analiza e VOA: Përparësitë e politikës së jashtme të Biden dhe Trump

Shkruar nga Liberale

Analiza e VOA: Përparësitë e politikës së jashtme

Luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, si dhe rivaliteti i Shteteve të Bashkuara me Kinën, mbeten çështjet kryesore të diplomacisë amerikane, pa marrë parasysh se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara i hedh një vështrim përparësive të politikës së jashtme të dy kandidatëve, Joe Biden dhe Donald Trump.

Më 2025, armëpushimi i përhershëm në Gazë mund të mos arrihet. Sulmi rus kundër Ukrainës mund të vazhdojë. Ndërsa Kina ende përbën një kërcënim.

Këto sfida mbesin, pavarësisht asaj se kush e fiton presidencën, Joe Bideni apo Donad Trumpi.

Edhe në mandatin e dytë të presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, politika e jashtme do të përqëndrohet në përparësi të njëjta – udhëheqja globale dhe multilaterizmi.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet e fuqishme për të udhëhequr me vlerat dhe forcën tonë. Do të ngrihemi për aleatët dhe miqtë tanë”, thotë Presidenti Biden.

Administrata beson se në qendër të vëmendjes duhet të jetë edhe një fushë tjetër.

“Një nismë e madhe me Kongresin që synon përmbushjen e premtimit për zhbllokimin e burimeve për botën në zhvillim”, thotë Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo nënkupton më shumë investime amerikane në programe për lehtësimin e borxheve, reformimin e institucioneve ndërkombëtare financiare të zhvillimit dhe projekte infrastrukturore në mbarë botën.

Kjo si kundërpërgjigje ndaj nismave kineze për zhvillim global, që mbështesin projekte të ndryshme në mbarë botën, si për shembull Korridori Lobito që lidh Zambian, Republikën Demokratike të Kongos dhe Angolën.
“Ne, jo vetëm që mund të ndërtojmë kapacitetet e transportit që mundësojnë angazhimin tonë mbi zhinxhirin e furnizimit me energji të pastër, por gjithashtu mund të zhbllokojmë mundësitë e mëdha bujqësore të Afrikës, duke nxjerrë mallra në treg dhe gjithashtu duke ndihmuar tranformim dixhital në atë zonë”, tha zoti Sullivan.

Nëse republikani Trump fiton, zhvillimi ndërkombëtar nuk do të jetë në qendër të vëmendjes.
“Do ta bëjmë Amerikën më të pasur, më të sigurt, më të fuqishme, më krenare dhe më të bukur se asnjëherë më parë. E kemi një mundësi të fundit për këtë”, thotë zoti Trump.

Megjithëse fraza kryesore e zotit Trump është “Amerika e para”, kjo nuk do të thotë se politika e tij e jashtme është ajo e izolimit.

“Politika nacionaliste ekonomike, po; asgjë nuk jepet falas, pa dyshim, por, unë mendoj se pjesa më interesante e politikës së tij të jashtme është përdorimi ndryshe i mjeteve të fuqisë amerikane”, thotë Rachel Rizzo nga Këshilli i Atlantikut.

Mbështetje e palëkundur për Izraelin, ndihmë e kushtëzuar për Ukrainën dhe rivalitet i fortë me Kinën. Këto janë përparësitë e politikës së jashtme në mandatin e dytë të propozuara nga instituti i lidhur me zotin Trump, ai i politkave të programit “Amerika e Para”.

“Këto janë tre fusha me të cilat çdo administratë e ardhshme e programit “Amerika e Para” duhet të përballet, duke vënë në provë qasjen ‘paqe përmes forcës’”, thotë Chad Wolf nga ky institut.

Megjithatë, politika e jashtme nuk pritet të jetë përcaktuese në zgjedhjet e nëntorit.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë më të shqetësuar për inflacionin, ekonominë, imigracionin dhe krimin sesa me angazhimet e Shteteve të Bashkuara jashtë vendit./ VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH