Globi

ANALIZË nga Liberale.al: Benjamin Netanyahu vs Yoav Gallant vs Benny Gantz

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Liberale.al: Benjamin Netanyahu vs Yoav Gallant vs Benny Gantz

Tre anëtarët më të rëndësishëm të Kabinetit të Luftës në Izrael, organi që merr vendime për zhvillimin e luftës në Gaza, janë rivalë dhe jo aleatë: si do të bien dakord ata për kundërpërgjigjen e premtuar ndaj Iranit?

Në ditët në vijim, ndoshta në orët e ardhshme, kabineti i luftës izraelite me shumë gjasa mund të marrë një vendim që mund të ketë pasoja për Izraelin dhe të gjithë rajonin: si do t’i përgjigjen sulmit iranian dhe, nëse do duhet të sulmojnë apo jo. Duke filluar kështu një luftë me Iranin që mund të çojë në një periudhë destabilizimi gjithë Lindjen e Mesme.

Kabineti i Luftës është organi ku merren vendimet strategjike për luftën në Rripin e Gazës. Problemi qëndron se përgjatë konfrontimit me Iranin, anëtarët e kabinetit kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me luftën. Në veçanti, tre anëtarët e tij më të rëndësishëm janë të ndarë edhe për shkak të rivalitetit që kanë në politikë, dallimet ideologjike dhe ambiciet personale i përforcojnë akoma edhe më shumë këndet e ndryshme në qëndrime. Ata janë kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Benny Gantz, ish-shefi i shtabit të ushtrisë dhe lideri i opozitës.

ANALIZË nga Liberale.al: Benjamin Netanyahu vs Yoav Gallant vs Benny Gantz

Kabineti i luftës u krijua më 11 tetor të vitit të kaluar, disa ditë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Ai përbëhet nga gjashtë anëtarë; tre anëtarë të plotë, përkatësisht Netanyahu, Gallant dhe Gantz dhe tre vëzhgues që kanë rolin e këshilltarëve. Vëzhguesit janë Ron Dermer, një i besuar i Netanyahut, Gadi Eisenkot, një ish-gjeneral dhe aleat politik i Gantz-it dhe Arye Deri, kreu i partisë ultra-ortodokse Shas dhe një figurë disi e diskutueshme në politikën izraelite. Në takime marrin pjesë herë pas here ministrat, anëtarë të komunitetit të inteligjencës apo diplomatë të huaj, siç ka qenë disa herë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në muajt e fundit, brenda kabinetit, Netanyahu është përpjekur të marrë përsipër luftën i vetëm, ndërsa Gallant dhe Gantz janë munduar ta ndalojnë atë në disa vendime ushtarake. Marrëdhëniet mes të treve kanë qenë konfliktuale prej shumë vitesh.

Netanyahu dhe Gantz janë kundërshtarë politikë. Gantz ishte kreu i forcave të armatosura izraelite mes viteve 2011 dhe 2015 (i emëruar nga vetë Netanyahu), periudhë gjatë së cilës ai drejtoi dy operacione të mëdha ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Në vitin 2019, ai hyri në politikë si kundërshtar i Netanyahut. Që atëherë ai ka kandiduar kundër tij në pesë zgjedhje (Izraeli ka votuar shumë herë vitet e fundit, për shkak të fragmentarizmit politik), pa arritur kurrë të marrë postin e kryeministrit.

Pas 7 tetorit, Gantz dhe anëtarë të tjerë të partisë së tij u bënë pjesë e një qeverie uniteti, por ndarjet politike mbeten. Në veçanti, tani që popullariteti i Netanyahut ka rënë për shkak të gabimeve të shumta në politikën e tij të sigurisë, Gantz është politikani më popullor në vend, i cili me shumë gjasa do t’i fitonte zgjedhjet, nëse ato do të mbaheshin nesër. Një gjë e tillë e ndërlikon shumë bashkëpunimin e tyre.

Teorikisht, Netanyahu dhe Gallant janë anëtarë të së njëjtës parti të krahut të djathtë, Likud, por pavarësisht kësaj, marrëdhëniet e tyre, janë të ndërlikuara. Në mars 2023, Gallant, i cili tashmë ishte ministër i Mbrojtjes, kritikoi reformën e diskutueshme gjyqësore të Netanyahut, duke argumentuar- siç po bënin shumë anëtarë të lartë të komunitetit ushtarak dhe të inteligjencës në atë kohë- se kjo do të rrezikonte sigurinë e vendit. Netanyahu e shkarkoi atë, por disa javë më vonë u detyrua ta rikthejë atë në detyrë për shkak të protestave të mëdha popullore në favor të tij.

Për të plotësuar rrethin, Gantz dhe Gallant janë gjithashtu rivalë, por nga pikëpamja ushtarake. Të dy gjeneralët prestigjiozë, në vitin 2010 synonin të dy rolin e kreut të forcave të armatosura. Qeveria fillimisht zgjodhi Gallantin, por e largoi atë nga detyra menjëherë pas kësaj, kur gjenerali u akuzua për organizimin e një fushate shpifjeje kundër rivalëve të tij. Më pas në vend të tij u zgjodh Ganz. Skandali i dha fund karrierës ushtarake të Gallantit dhe, disa vite më vonë, ai hyri në politikë, duke iu bashkuar Likud-it, si ministër i Mbrojtjes.

ANALIZË nga Liberale.al: Benjamin Netanyahu vs Yoav Gallant vs Benny Gantz

Me pak fjalë, marrëdhëniet janë kontradiktore mes tre personave që kanë për detyrë të menaxhojnë luftën në Rripin e Gazës, po ashtu, edhe për të vendosur për përgjigjen luftarake ndaj Iranit. Secili prej tyre ka objektiva të caktuara politike ose ushtarake dhe qëndron në kundërshti me objektivat e të tjerëve.

Në veçanti, brenda kabinetit të luftës, Gallant dhe Gantz arritën të gjenin një formë marrëveshjeje dhe shpesh vepruan së bashku në kundërshtim të Netanyahut. Kjo përkundër faktit se Gantz ishte më i moderuari nga të tre (edhe pse gjithmonë i bindur për nevojën e luftës në Gaza) ndërsa Gallant ishte më agresivi nga pikëpamja ushtarake.

Më pas, të tre shumë shpesh lëvizin në mënyrë të pavarur: Netanyahu dhe Gallant rrallë mbajnë konferenca të përbashkëta për shtyp dhe secili u flet gazetarëve në mënyrë të pavarur. Gallant ka publikuar planin e tij për të ardhmen e Rripit të Gazës pas luftës, i cili është i ndryshëm nga ai i Netanyahut. Ndërsa kryeministri po debatonte hapur me administratën amerikane për menaxhimin e luftës, duke shkuar deri aty sa të anulonte vizitën e disa zyrtarëve izraelitë, Gantz organizoi në mënyrë të pavarur një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, ku u prit me shumë respekt.

Ndarjet brenda kabinetit të luftës pasqyrojnë ekuilibrin e pasigurt të qeverisë së unitetit kombëtar, ku futet pjesa më e madhe e opozitës pas fillimit të luftës. Megjithatë, për disa javë, anëtarë të opozitës dhe shumë votues kanë filluar të argumentojnë se qeveria e koalicionit shërben më shumë për të ruajtur qëndrimin e Netanyahut në pushtet sesa për të menaxhuar emergjencat e vendit dhe për këtë arsye ka filluar presioni ndaj Gantz për të tërhequr mbështetjen e tij.

Mirëpo, ka shumë pak gjasa që kjo të ndodhë, ndërkohë që kriza aktuale me Iranin është ende në vazhdim, sepse do të konsiderohej e papërgjegjshme të shtohej paqëndrueshmëria politike në situatën e emergjencës ushtarake. Nga ky këndvështrim, disa argumentojnë se kriza me Iranin e ka forcuar politikisht Netanyahun, duke stabilizuar qeverinë e tij dhe duke i detyruar aleatët ndërkombëtarë ta mbështesin atë, pavarësisht thellimit të ndarjeve./Përgatiti R.D/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH