Pas një dekade që udhëhoqi NATO-n, Jens Stoltenberg do të zëvendësohet nga Mark Rutte i Holandës, duke nisur nga 1 Tetori.
Në fjalimin e tij të lamtumirës, shefi i NATO-s tha se “Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”.
Gjithashtu bëhet e ditur se Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s, gjatë fjalimit u kërkoi vendeve anëtare të mbështesin vlerat themeluese të aleancës në një fjalim që reflektonte mbi mandatin e tij dhjetëvjeçar.
“Që kur mora detyrën time si Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2014, bota rreth nesh ka ndryshuar thellësisht”, tha Stoltenberg.
Duke folur për Ukrainën, ai theksoi se vendi është më afër NATO-s se kurrë më parë, raporton Euronews.
“Sot, presidenti Putin beson se mund t’i arrijë qëllimet e tij në fushën e betejës. Kjo është arsyeja pse ai vazhdon të bëjë luftën e tij brutale. Nuk besoj se mund ta ndryshojmë mendjen e Putinit. Por, unë besoj se ne mund të ndryshojmë llogaritjen e tij”, vazhdoi shefi i NATO-s.