Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në hetimin për rrëzimin tragjik të avionit të linjës Air India, ku humbën jetën 241 nga 242 pasagjerët në bord. Ministria e Aviacionit Civil në Indi njoftoi se kutia e zezë e avionit Boeing 787 është gjetur brenda 28 orëve pas aksidentit që ndodhi pranë qytetit Ahmedabad.
Ky është një hap kyç për Byrojnë e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve (AAIB), e cila tashmë është në proces të analizimit të regjistruesit të të dhënave të fluturimit, i cili do të ndihmojë për të kuptuar se çfarë ndodhi në momentet e fundit përpara rrëzimit.
Avioni, me destinacion Londrën, u rrëzua vetëm 60 sekonda pas ngritjes, duke goditur një zonë të banuar. Përveç pasagjerëve në bord, të paktën tetë persona në tokë u raportuan të vdekur.
Në bord ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez, sipas deklaratës së Air India. Autoritetet mjeko-ligjore janë duke përdorur mostra ADN-je nga të afërmit për të identifikuar viktimat, pasi në shumë raste trupat nuk janë të njohshëm përmes pamjes fizike. Deri më tani, vetëm gjashtë trupa janë dorëzuar familjarëve.
Në mes të kësaj tragjedie të tmerrshme, një mrekulli mbijetese ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Vishwashkumar Ramesh, një shtetas britanik, është i vetmi i mbijetuar i aksidentit. Ai ndodhet në spital dhe është në trajtim për plagët që ka marrë. Në një deklaratë për televizionin indian, ai tha:
“Ende nuk mund ta besoj se si dola gjallë. Ishte si një ëndërr e tmerrshme.”