Bota

Gaza/ Gjenden 392 trupa në një varr masiv pranë kompleksit spitalor

Shkruar nga Liberale

Gaza/ Gjenden 392 trupa në një varr masiv pranë kompleksit

Autoritetet në Gaza kanë përfunduar kërkimet në varrezat masive në një spital në jug të Gazës. Sipas tyre, janë zbuluar gjithsej 392 trupa, të cilët ishin ende të veshur më veshjet spitalore. Një prej zyrtarëve nga Mbrojtja Civile Palestineze në Gaza u shpreh se janë identifikuar 165 trupa në kompleksin spitalor të “al-Nasser” në Khan Younis.

“Ndërkohë, janë ende duke u ekzaminuar trupat e mbetur për të ditur identitetin e tyre”, u shpreh Mohammed Al Mighayyer në një konferencë për shtyp në Rafah, shtoi: “Ne gjetëm tre varre masive”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) mohuan të kenë lidhje me trupat e varrosur në Gaza, duke thënë se çdo pretendim i tillë është i rremë. Ndërsa Mbrojtja Civile në Gaza tha se rreth 100 trupa u varrosën në mënyrë më dinjitoze në varre përkatëse në spitalin “al-Nasser”, para se forcat izraelite të vijonin me operacionet e tyre.

IDF reagoi përmes një postimi në X, ku zëdhënësi ndërkombëtar Nadav Shoshani, u shpreh: “Po qarkullon keqinformimi në lidhje me një varr masiv që u zbulua në spitalin “al-Nasser” në Khan Yunis. Varri në fjalë ishte gërmuar nga banorët e Gazës disa muaj më parë. Ky fakt vërtetohet nga videot dhe fotot e dokumentuara në rrjetet sociale”.

Al Mighayyer theksoi se Mbrojtja Civile dëshmoi praninë e trupave të fëmijëve të ndjerë në spitalin që ishte kthyer në një varrezë masive dhe kolektive. Sipas tij, kjo është një provë e qartë e gjenocidit që po ndodh në Gaza. Dyshohet se të paktën 20 civilë janë varrosur të gjallë në këtë kompleks, teksa hetimet vazhdojnë. Ai shtoi se ka pasur raste të ekzekutimeve të pacientëve që kishin marrë trajtime në spital dhe tha se disa prej trupave u gjetën me shenja plumbash në kokë dhe lëndime të tjera në trupat e tyre.

Al Mighayyer shtoi se forcat izraelite varrosën disa trupa në qese plastike "në një thellësi prej tre metrash, gjë që i bëri ata të dekompozoheshin shpejt". Ai tha se u fshehën qëllimisht provat e krimeve të tij në kompleksin mjekësor “al- Nasser”.

Pretendimet nuk janë verifikuar ende nga palë të treta të pavarura, ndërsa OKB-ja është duke kërkuar që të kryen hetime. Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së tha se organizata bën thirrje për një hetim ndërkombëtar, por theksoi se ende është e paqartë se si do të kryhet kjo.

Amnesty International ka kërkuar gjithashtu një hetim për varrezat masive në spitalin “al-Nasser” dhe një spital tjetër në Gaza, saktësisht në kompleksin spitalor “al-Shifa”, duke thënë se ka një "nevojë urgjente për t'u dhënë akses hetuesve të pavarur” që të hyjnë në territorin e Gazës për të bërë punën e tyre.

“Vendet e varreve masive janë skena të mundshme krimi që ofrojnë prova të rëndësishme dhe të ndjeshme. Ato duhet të mbrohen derisa ekspertët profesionistë të mjekësisë ligjore me aftësitë dhe burimet e nevojshme të mund të kryejnë në mënyrë të sigurt zhvarrosjet adekuate dhe identifikimin e saktë të kufomave”, shtoi ai.

Poll
SHQIPENGLISH