Rreth 20 mijë banorë në Këln janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe bizneset e tyre, pas zbulimit të tri bombave të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore në atë që po cilësohet si evakuimi më i madh në qytet që prej përfundimit të luftës.
Bombat, të cilat datojnë rreth 80 vjet më parë dhe janë të prodhimit amerikan dy me peshë 20 tonë dhe një prej 10 tonësh u zbuluan të hënën gjatë punimeve ndërtimore pranë fabrikës së anijeve Deutz, në bregun lindor të lumit Rajn.
Autoritetet kanë nisur një operacion masiv sigurie, duke evakuuar zona me rreze 1,000 metra rreth vendit të gjetjes. Tri ura kryesore mbi lumin Rajn janë mbyllur, ndërsa trafiku hekurudhor është ndalur ose devijuar. Mbyllje janë raportuar edhe në shkolla, kopshte, muze, linja tramvaji, si dhe në shtëpinë e orkestrës filarmonike të qytetit.
Në këtë zonë ndodhet edhe ndërtesa e transmetuesit RTL, e cila ka pezulluar përkohësisht transmetimet nga Këlni dhe i ka zhvendosur në studiot në Berlin. Disa emisione që ishin planifikuar për transmetim të drejtpërdrejtë janë regjistruar më herët për të shmangur ndërprerjet.
Bombat pritet të çaktivizohen mëngjesin e së mërkurës, në një operacion delikat, pasi ato janë të pajisura me fitil impakti, që mund të shpërthejë në kontakt me një sipërfaqe të fortë.