Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Quarto, pranë Napolit, ku dy vëllezër, 34 dhe 42 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët me akuzën e vrasjes së babait të tyre, Antonio Di Gennaro, 71 vjeç.
Trupi i viktimës u gjet i fshehur në një arkë në tarracën e shtëpisë, pas një denoncimi për zhdukje nga partnerja e tij. Sipas hetimeve, vrasja ka ndodhur mëngjesin e 3 qershorit. Dy djemtë dyshohet se i hodhën atij një pilulë gjumi në kafe dhe më pas e mbytën me jastëk, pasi ai kishte refuzuar t’u jepte paratë e pensionit të nënës së tyre të ndjerë.
Të arrestuarit janë Michele Di Gennaro, një inxhinier biomjekësor, dhe Andrea Di Gennaro, trajner personal. Të dy nuk kanë pasur më parë probleme me ligjin. Ata kanë pranuar krimin gjatë marrjes në pyetje.
Trupi i Antonio Di Gennaro u zbulua në shtëpinë e tij në Via Cicori, një zonë qendrore e qytetit. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha detajet e kësaj vrasjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin vendas.