Bota

Bandat e armatosura i bllokojnë kthimin në shtëpi, dorëhiqet kryeministri i Haitit

Shkruar nga Liberale

Bandat e armatosura i bllokojnë kthimin në shtëpi, dorëhiqet

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry, është pajtuar që të japë dorëheqje, pas disa javëve të rritjes së presionit dhe shkallës së dhunës në këtë shtet të varfër në Amerikën Qendrore.

Ai e ka marrë këtë vendim, pasi liderët rajonalë janë takuar të hënën në Xhamajka për të diskutuar një tranzicion politik në Haiti.

Henry është bllokuar aktualisht në Puerto Riko, pasi bandat e armatosura ia kanë pamundësuar kthimin në shtëpi.

Ai ka shkuar në Puerto Riko pas një udhëtimi në Kenia, në fund të shkurtit, për të siguruar mbështetjen e këtij vendi për një mision të sigurisë, të mbështetur prej Kombeve të Bashkuara.

Përmes një video-adresimi, Henry u ka bërë thirrje haitianëve që të qëndrojnë të qetë.

“Qeveria që jam duke udhëhequr do të dorëhiqet menjëherë pas instalimit të këshillit”, ka thënë Henry.

“Dua të falënderoj popullin e Haitit për mundësinë që më ka dhënë. Po u kërkoj haitianëve që të jenë të qetë dhe të bëjnë gjithçka që munden, në mënyrë që paqja dhe stabiliteti të arrihen sa më shpejt që është e mundshme”.

Pas njoftimit të tij, haitianët kanë dalë nëpër rrugë për të festuar.

Një këshill transitor presidencial, i prezantuar pas takimit në Xhamajka, do të përfaqësojë sektorë të ndryshëm të shoqërisë haitiane.

Detyrat e tij janë përzgjedhja e një kryeministri dhe kabineti me mandat të përkohshëm, dhe krijimi i një këshilli zgjedhor për të lehtësuar procesin zgjedhor, që mund të jetë i pari prej vitit 2016.

Henry, i cili e ka udhëhequr shtetin vetëm si ushtrues detyre prej korrikut të vitit 2021, pas vrasjes së presidentit Jovenel Moise, i ka shtyrë vazhdimisht zgjedhjet, duke thënë se fillimisht duhet garantuar paqja.

Bandat tejet të armatosura e kanë rritur kontrollin nëpër rrugët e kryeqytetit Port-au-Prince, dhe e kanë sulmuar burgun kryesor, duke iu ndihmuar mijëra të burgosurve që të ikin prej atyre ambienteve.

Kryeqyteti dhe rajoni përreth është zyrtarisht në gjendje lufte, dhe masa e orës policore është vazhduar.

Shtëpia e Bardha ka dëshiruar fillimisht që Henry të kthehet në Haiti për të vëzhguar procesin transitor, mirëpo rritja e shkallës së dhunës i ka ndryshuar idetë në Uashington.

Zyrtarë brenda Departamentit amerikan të Shtetit kanë thënë se presin që anëtarët këshillit transitor të emërohen në 24-48 orët e ardhshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH