Vladimir Putin mbërriti të hënën në darkë në Mongoli për një vizitë zyrtare, duke shënuar kështu udhëtimin e tij të parë si president në një shtet që është nën juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjykatë kjo që në muajin mars të 2023, lëshoi një urdhër arresti kundër presidentit rus për krime luftë të kryera në Ukrainë, veçanërisht për rrëmbimin e të miturve ukrainas. Putin, siç edhe pritej, nuk u arrestua. Sot do marrë pjesë në disa takime të ndryshme zyrtare.
Mongolia është një nga 124 vendet që kanë ratifikuar Statutin e Romës dhe njeh juridiksionin e gjykatës (Rusia, Kina por edhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar një marrëveshje të tillë). Para vizitës së Putinit, e njëjta gjykatë i kishte përsëritur qeverisë mongole detyrimin për të arrestuar Putinin, por nga ana tjetër, regjimi rus kishte marrë garanci dhe për këtë arsye nuk e kishte anuluar vizitën.
Mongolia është një shtet shumë i varur nga Rusia, me të cilën ndan edhe 3500 kilometra kufi, pothuajse e gjithë nafta dhe gazi që i nevojitet vjen nga Rusia. Partia që mban primatin qeverisës, Partia Popullore Mongole, deri në vitin 1990, quhej Partia Revolucionare Popullore Mongole dhe e ka qeverisur vendin në një mënyrë autoritare që nga viti 1924, nën ndikimin e fortë të Bashkimit Sovjetik.
Lidhjet me Rusinë e kanë çuar Mongolinë në një pozicion neutraliteti zyrtar në lidhje me luftën në Ukrainë. Vendi ka pak më shumë se 3 milionë banorë dhe lëviz në një ekuilibër të vështirë mes dy fuqive fqinje; ka edhe presion të fortë nga Kina, e cila në fakt është tregu i vetëm i saj eksportues. Pavarësisht përpjekjeve për t’u hapur ndaj vendeve perëndimore (Mongolia priti zyrtarisht presidentin francez Emmanuel Macron dhe sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken), megjithatë, lidhjet me vendet fqinje mbeten më të rëndësishme.
Vizita e Putinit ka si arsye zyrtare festimet për 85-vjetorin e fitores së ushtrive mongole dhe sovjektike kundër forcave pushtuese japoneze në vitin 1939, në betejën e Khalkhin Gol. Putin u prit me një ceremoni zyrtare. Flamujt rus valëviteshin në gjithë kryeqytetin Ulaanbaatar. Policia bllokoi gjithashtu protestën e një grupi të vogël aktivistësh kundër luftës, të cilët u munduan të shpalosnin një flamur ukrainas gjatë momentin kur po parakalonte autokolona e makinave të presidentit rus.
Ai u takua sot me presidentin Ukhnaa Khurelsukh, i cili sipas mediave të ndryshme ndërkombëtare dëshiron të sigurojë furnizimet e nevojshme me karburant dhe energji elektrike, për të mos u përballur me mungesa, siç ndodhi dimrin e kaluar. Sidoqoftë, ndërtimi i planifikuar i tubacionit të gazit Poëer of Siberia 2, i cili, duke kaluar përmes Mongolisë, çon gazin rus në Kinë, por siç duket ky projekt nuk do jetë temë diskutimi, pasi parlamenti mongol nuk ka ndarë ende fonde për ndërtimin e tij për pesë vitet e ardhshme, duke vendosur për ta shtyrë atë për një moment tjetër.
Mirëpritja zyrtare në Mongoli është një fitore diplomatike për Putinin dhe konfirmon faktin se izolimi politik i regjimit rus nuk është ende i plotë, veçanërisht në vendet dhe zonat aziatike që kanë një varësi historike nga Rusia. Në të njëjtën kohë konfirmon diçka që dihet prej kohësh: që vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk kanë efekte të menjëhershme dhe as janë të sigurta në praktikë, por varen nga vullneti politik i vendeve që kanë vendosur të nënshtrohen nën juridiksionin e saj.
Dështimi i Mongolisë për të përmbushur detyrimet e saj nuk do të thotë se do të ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ka precedentë të ngjashëm: për shembull në vitin 2015 Afrika e Jugut refuzoi të arrestonte Omar al Bashir, atëherë president i Sudanit, për të cilin ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për gjenocid./Përgatiti Liberale.al (R.D)/