Jean-Marie Le Pen, ish-themeluesi dhe udhëheqësi i partisë franceze të ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar, e cila nga viti 2018 ka ndërruar emrin në Bashkimi Kombëtar, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.
Le Pen për shumë vite ka qenë lideri më i famshëm i së djathtës ekstreme franceze. Ai ka lindur në La Trinité-sur-Mer dhe e filloi karrierën e tij në Toulouse në krye të një lëvizjeje studentore. Në vitin 1953 ai u regjistrua në Legjionin e të Huajve dhe luftoi në luftërat e Indokinës dhe Algjerisë. Në vitin 1956 u zgjodh deputet në parlament me partinë e ekstremit të djathtë Union et fraternité française, një parti e vogël ultra-nacionaliste.
Ai themeloi partinë Fronti Kombëtar në vitin 1972 dhe mbeti lider i saj, deri në vitin 2011, duke e çuar atë në partinë kryesore të ekstremit të djathtë në vend, mes akuzave të ndryshme për racizëm dhe antisemitizëm, si pasojë e retorikës së tij tepër të ashpër. Në vitin 2011, vajza e tij, Marine Le Pen, mori drejtimin e partisë, nga viti 2022 president i saj është i riu Jordan Bardella.
Në vitin 2015, Le Pen u pezullua fillimisht nga partia dhe më pas u përjashtua përgjithmonë, veçanërisht pas deklaratës së tij, ku tha: se dhomat e gazit, ishin detaje në historinë e Luftës së Dytë Botërore. Ai u dënua edhe me gjobë me një shumë prej 30 mijë euro dhe 10 mijë euro të tjera për tre shoqata që ishin palë civile në gjykim.
Pas pezullimit, Le Pen paraqiti një ankesë kundër vendimit të partisë dhe gjykata e Nanterres në nëntor 2016 urdhëroi Frontin Kombëtar të mbante Jean-Marie Le Pen si president nderi, por ta përjashtonte atë si anëtar partie. Prandaj, Le Pen e çoi çështjen në apel, por që u refuzua nga gjykata.
Përjashtimi i tij nga partia, e çoi në përplasje me vajzën e tij, Marine, e cila krahasur me të atin u përpoq të adoptonte një strategji “normalizimi” të partisë, për të fituar votat e votuesve më të moderuar.
Ndër të tjera në të kaluarën Jean-Marie Le Pen kishte propozuar izolimin e detyruar të pacientëve me HIV, duke akuzuar Zhak Shirak se ishte "në listën e pagave të hebrenjve". Ai kritikoi lojtarët me ngjyrë të kombëtares franceze të futbollit, me argumente raciste dhe e etiketoi Nicolas Sarkozyn si "i huaji" për shkak të origjinës së tij hungareze./ Përgatiti Liberale.al