BE

PROFILI I DITËS- Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny vdiq në burg! Ishte një "gjemb" në shpinën e Putin dhe disa burrave të fortë në Rusi

Shkruar nga Liberale

 

PROFILI I DITËS- Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny vdiq në

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny ka ndërruar jetë në burg në atë që ka të ngjarë të shihet si një vrasje politike që i atribuohet Vladimir Putinit.

Deklarata për vdekjen e tij u bë nga shërbimi i burgjeve në Rusi, citojnë mediat vendase. 47-vjeçari Navalny, ishte një nga kritikët më të zëshëm dhe këmbëngulës të Putinit, i cili po mbahej në një burg në veri të Rrethit Arktik, ku ishte dënuar me 19 vjet nën një "regjim të veçantë".

Në fillim të dhjetorit ai ishte zhdukur nga një burg në rajonin e Vladimirit, ku po vuante një dënim 30-vjeçar me akuza për ekstremizëm dhe mashtrim që ai i kishte quajtur ndëshkim politik për drejtimin e opozitës kundër Kremlinit të viteve 2010.

Alexei Navalny ka qenë në shënjestër prej vitesh. Lideri i opozitës ruse ishte kthyer në një “gjemb në shpinë” për disa nga burrat më të fuqishëm të Rusisë me hetimet e tij të mprehta në YouTube mbi korrupsionin galopant sidomos atij industrial, për të cilën ai thotë se është përhapur nën sundimin e Vladimir Putinit.

Kërcënimet nuk i kanë munguar asnjëherë. Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare 300,000 anëtarëshe, tha para disa kohësh se do ta kthente 44-vjeçarin “ në një biftek me lëng” për ato që i quajti “trillime” dhe “shpifje” nga ana e tij.

Një kompani e lidhur me Yevgeny Prigozhin, që njihet ndryshe si “Kuzhinieri i Putinit”, edhe ky i vdekur, e paditi me sukses Fondacionin e Navalnyt Kundër Korrupsionit për 1.6 milion dollarë mbi një raport për ushqime të kontaminuara në shkolla.

Gjykatat po kështu bllokuan një video mbi Dmitry Medvedev, kryeministri i vendit dhe ish-president, çka nxiti ndezjen e protestave të rrugës në Moskë verën e 2017.

Por opozitari jurist, mbeti një gazetar hulumtues i mashtrimit, duke përdorur të dhënat e korporatave, pamjet me dronë e deri edhe mediat sociale për të treguar sesi rrethi i Putinit ka përvetësuar miliarda, e duke tërhequr kësisoj vëmendjen e miliona rusëve në internet.

“Aktiviteti kryesor i Navalny është hetimi i tij për tiparin parësor të regjimit të Putinit: korrupsionin,” tha dikur Lyubov Sobol, një aleate e kryeopozitarit dhe avokate në Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit. “Ai është kthyer në figurën kryesore të opozitës në Rusi për shkak të këtyre hetimeve,” shton Sobol.

Për këtë, është përballur me vite të tëra presioni. U helmua kur ishte prapa hekurave në vitin 2019 dhe u sulmua në 2017-tën me një pluhur të rrezikshëm me ngjyrë, që e la atë pjesërisht të verbër në njërin sy. Ka kaluar muaj të tërë në burg për pjesëmarrje në protesta dhe shumë muaj të tjerë në salla gjyqi pas akuzave për zhvatje, një proces që shihet gjerësisht si politikisht i montuar. Edhe njerëzit pranë tij kanë vuajtur.

I vëllai kaloi tre vjet e gjysmë në një koloni penale për përvetësim, bashkëshorti i Sobolit, Sergei Mokhov, një antropolog, kaloi në konvulsione në 2016-tën pasi i ngulën një shiringë në kofshë dhe një hetues i rëndësishëm u dërgua në Arktikun e largët.

Sobol nuk besonte se helmimin e Navalnyt mund ta ketë kryer ndonjë zyrtar i vogël lokal, apo edhe qoftë edhe një guvernator. Ata që dhanë urdhrin, sipas saj, duhen kërkuar në nivelet më të larta të qeverisjes. 

“Ai madje bënte shaka se duhet të gjente justifikime se pse nuk është vrarë akoma”, tha Ilya Chumakov, një nga dhjetëra aktivistët që u takuan me Navalny në qytetin siberian të Tomsk. Pastaj, sipas Chumakov, ai u bë më serioz dhe shtoi se vdekja e tij nuk do ta ndihmonte Presidentin Vladimir Putin.

“Ai u përgjigj se nuk do të ishte e dobishme për Putin. Kjo do ta transformonte atë në një hero”, tha Chumakov.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH