BE

PROFILI I DITËS- Kush është Gjenerali i ushtrisë ukrainase që po konkurron Zelensky-n?

Shkruar nga Liberale

 

PROFILI I DITËS- Kush është Gjenerali i ushtrisë ukrainase

Pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi një “rifreskim” të drejtuesve kryesor të vendit, mediat kryesore vendase, kanë aluduar se shënjestër e shkarkimit mund të jetë gjenerali dhe komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake të Ukrainës, Valery Zaluzhny.

Ka disa ditë që Zaluzhny poston mesazhe në rrjetet sociale që tingëllojnë më shumë se gjithçka tjetër si largim nga detyra. “Rruga për ne do të jetë shumë e vështirë tani, por nuk do të kemi turp për atë që kemi bërë”, ka shkruar pak ditë më parë, duke komentuar një fotografi ku ai kishte dalë së bashku me një nga bashkëpunëtorët e tij.

Pas një periudhe shumë të gjatë tensioni, përplasja mes presidentit dhe gjeneralit, e vetmja figurë në vend që mund të konkurronte me popullaritetin e Zelenskyt, u bë publike në fillim të muajit shkurt, kur rrodhi lajmi se Zelensky mund ta zëvendësonte Zaluzhnyn.

Që atëherë, mes mohimeve me gjysmë zemre, protestave në rrjetet sociale dhe ftohtësisë nga ana e aleatëve, çështja nuk ka avancuar më. Por pakkush dyshon se këto janë ditët e fundit të gjeneralit popullor në krye të forcave të armatosura të Ukrainës.

Përplasja mes të dyve ka të bëjë me mënyrën e zhvillimit të luftës dhe tensionet e pashmangshme mes objektivave politike dhe nevojave ushtarake. Por sipas shumë njerëzve, një rivalitet personal është zhvilluar prej kohësh mes të dyve. “Nuk është aspak sekret se zyra e Zelenskyt ka qenë prej kohësh xheloze për Zaluzhny”, tha studiuesi i shkencave politike Volodymyr Fesenko. Sondazhet tregojnë se gjenerali është rivali i vetëm i mundshëm i Zelenskyt në një garë të mundshme presidenciale, pasi edhe popullariteti i Zelenskyt ka rënë, ndërsa ai i Zaluzhnyt mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht situatës së keqe në front.

Zaluzhny ishte emëruar në rolin e komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura nga vetë Zelensky, në kulmin e një procesi riorganizimi të drejtuesve të forcave të armatosura që duket shumë i ngjashëm me atë që po përgatitet këto ditë. Ishte korriku i vitit 2021, në kulmin e tensioneve me Rusinë që do të arrinin kulmin me pushtimin e vendit më 24 shkurt.

Zaluzhny ishte 48 vjeç në atë kohë dhe pavarësisht se ishte një komandant i shkëlqyer veteran i konfliktit në Donbass që filloi në 2014, ai u konsiderua nga shumë njerëz si shumë i ri dhe pa përvojë për të përmbushur këtë rol.

I lindur në 1973 në një familje ushtarake, i diplomuar në akademinë ushtarake të Odessa-s, Zaluzhny është një personazh i pazakontë për standardet ultra-macho të forcave të armatosura post-sovjetike dhe ushtrive në përgjithësi. Para emërimit të tij në krye të forcave të armatosura, ai konsiderohej si një ekscentrik që pëlqente të bënte shaka me vartësit e tij dhe të shfaqej me bluzë dhe pantallona të shkurtra kur nuk ishte me uniformë, shkruante gazetari i “Time”, Simon Shuster, autor i intervistës së parë me Gjeneralin.

Edhe sot e kësaj dite, Zaluzhny është një ushtarak aktiv. Ne jelekun antiplumb me të cilin shfaqet, në pjesën e përparme të tij, ka të stampuar imazhin e një personazhi të filmit “Star Wars”, i quajtur “Baby Yoda”, kurse në pjesën e pasme të helmetës, ka atë të një maceje që mban një pushkë.

Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se kur e vizitoi në zyrën e tij në ditët e parë të luftës, e gjeti atë të zënë duke iu përgjigjur telefonatave të shumta që i vinin nga i gjithë fronti. Zaluzhny, gjithmonë, kishte një psedonim të dashur për të gjithë vartësit e tij, disa i quante “bukuroshë” dhe disa të tjerë “molodet”, që në ukrainisht dhe rusisht do të thotë djalë i mirë ose punë e mirë.

I rritur ushtarakisht në dy botë të ndryshme, atë të trashëgimisë sovjetike të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe të NATO-s, të cilët ushtria aspironte t’i ngjante, por Zaluzhny është pjesë e një brezi të ri oficerësh modernizues që u angazhuan në konfliktin që filloi me Rusinë.

Ndryshe nga shumë prej fansave të tij në Perëndim, të cilët i shohin sukseset e Ukrainës si rezultat i stërvitjes së ofruar atyre nga NATO, Zaluzhny është gjithashtu një admirues i doktrinës ushtarake ruse dhe, në veçanti, i kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, gjeneralit rus Valery Gerasimov, nga i cili, mban të gjitha librat dhe artikujt e shkruar nëpër revista e gazeta në zyrën e tij. “Kam lexuar gjithçka që ka shkruar. Ai është një njeri shumë inteligjent dhe unë kam shumë pritshmëri të mëdha për atë, në lidhje se çfarë është në gjendje për të bërë”, tha ai, për revistën “Time”.

Për këto arsye, në korrik të 2021, në kohën kur u emërua kreu i forcave të armatosura të Ukrainës, Zaluzhny e mori seriozisht kërcënimin e një pushtimi rus, të cilin, në vend të kësaj, lidershipi politik tentonte ta minimizonte. Kur gjatë periudhës së verës organizoi stërvitjet e para ushtarake, simulimet e operacioneve të konceptuara në tryezën e punës, mbi një kundërpërgjigje të mundshme ndaj një pushtimi rus, ai u mundua t’i mbante të fshehura këto plane, si nga rusët ashtu edhe nga vetë Zelensky, nga frika se mos do akuzohet për alarm fals nga presidenti i tij.

PROFILI I DITËS- Kush është Gjenerali i ushtrisë ukrainase

Përgatitja ushtarake dhe planet e paramenduara në kohë, në fund të fundit, dhanë një rezultat. Në Ukrainë dhe përtej, mendohet se vetëm falë forcave të armatosura dhe Zaluzhny-t në veçanti, vendi rezistoi me sukses javët e para të pushtimit. Çështja, megjithatë, mbetet e diskutueshme. Megjithëse, Zelensky e minimizoi publikisht rrezikun e pushtimit, ai nuk duket të ketë penguar përgatitjet e mbrojtjes të realizuara nga forcat e armatosura.

Nga të gjitha raportet e publikuara deri më sot, nga vëzhgues dhe protagonistë, duket se deri në muajt e parë të luftës marrëdhëniet mes të dyve kanë qenë të mira. Zelensky e pëlqeu këtë ushtarak me një stil informal, aftësi të konsiderueshme dhe me sa duket i painteresuar për jetën publike. Nga ana e tij, Zaluzhny ishte i kënaqur që Zelensky nuk përzihej në çështjet ushtarake. Të dyja këto pika, megjithatë, së shpejti do të përmbyseshin.

Sipas një shkrimi të gazetës online Ukrainska Pravda, problemet e para në marrëdhënien e tyre u shfaqen që në fund të prillit 2022, vetëm dy muaj pas shpërthimit të konfliktit, kur Zaluzhny hapi një fondacion personal për të mbledhur donacione për forcat e armatosura. Por zyra e Zelensky-t e konsideroi këtë si një përpjekje për të përgatitur një makinë politike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Që nga ai moment, dyshimi se Zaluzhny ishte një rival i mundshëm politik, nuk do të largohej kurrë.

Pikëpamjet e ndryshme se si do të zhvillohet lufta do të fillonin menjëherë pas kësaj lëvizje. Sipas Shuster, me rastin e kundërsulmit të parë ukrainas, i cili në verë-vjeshtën e 2022, çoi në çlirimin e qytetit të Khersonit, në jug dhe rajonit të Kharkiv, në veri-lindje, ishte Zelensky ai që imponoi një sulm në dy fronte, ndërsa Zaluzhny do të kishte dashur të përqendrohej vetëm në frontin jugor. E njëjta situatë do të përsëritej edhe vitin e ardhshëm, gjatë kundërofensivave famëkeqe të verës. Edhe një herë Zaluzhny do të insistonte në përqëndrimin e forcave në frontin jugor, por Zelensky do të detyronte një sulm të dytë kundër qytetit të Bakhmut, të kapur disa muaj më parë nga mercenarët e Grupit Wagner.

Ky qytet në lindje të vendit, i cili është bërë i famshëm si vendi i betejës më të përgjakshme të zhvilluar në Ukrainë deri më tani, do të kishte qenë origjina e një tjetër përplasjeje të rëndë mes të dyve. Para fillimit të kundërofensivave, Zaluzhny thuhet se kërkoi leje për ta braktisur atë, pasi ai tani e konsideronte atë të pambrojtur. Zelensky, i cili e kishte shpallur Bakhmutin një “qytet fortesë”, në vend të kësaj insistoi të vazhdonte mbrojtjen deri në minutën e fundit. Kohët e fundit, një situatë e ngjashme duket se ka ndodhur në Avdiivka, një qytet tjetër në lindje të vendit që ukrainasit e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbrojnë, por që, sipas Zelenskyt, është thelbësore për t’u mbrojtur deri në fund për arsye politike dhe morale.

Nëse udhëheqja civile ndërhynte gjithnjë e më shumë në zhvillimin e luftës, as Zaluzhny nuk mbeti i papunë. Gjenerali i përshkruar dikur si e kundërta e “njerëzve të famshëm”, ka filluar të postojë gjithnjë e më shpesh në rrjetet sociale dhe të japë një numër gjithnjë e më të madh intervistash. Për më tepër, ai e kishte fotografuar veten me figura ndonjëherë kontroverse dhe rivalë të Zelenskyt, si kryetari i bashkisë së Odessa, Gennadiy Trukhanov dhe Andriy Stempitsky, udhëheqës i trupit vullnetar të grupit ekstremist “Sektori i djathtë”, i regjistruar në forcat e armatosura.

Nëntorin e kaluar, në një artikull të shkruar për të përjavshmen “The Economist”, ai njoftoi dështimin e kundërofensivave dhe fillimin e një ngërçi në front, duke indinjuar aleatët e presidentit, deri në atë pikë sa një parlamentar nga partia e Zelensky-t bëri thirrje për dorëheqjen e tij në televizion.

Zaluzhny sot mbetet jashtëzakonisht popullor. Këngë, mijëra meme dhe murale në rrugë i kushtohen atij. Mes ushtarëve në front është e vështirë të gjesh dikë që nuk e admiron. Ata e konsiderojnë atë jo vetëm një strateg të aftë, por edhe një gjeneral që kujdeset për jetën e tyre dhe objektivi i parë i të cilit është t’i pengojë ata të sakrifikohen kot. Pasojat e largimit të tij nga detyra mbeten të pasigurta, por sigurisht që nuk do të jetë një lajm i mirë për moralin e qytetarëve dhe forcave të armatosura./Përgatiti Liberale.al (R.D)/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH