BE

Prodhon raketa ajrore për Ukrainën, përfshihet nga flakët fabrika kimike në Gjermani (VIDEO)

Shkruar nga Liberale

Prodhon raketa ajrore për Ukrainën, përfshihet nga flakët

Një fabrikë kimike e kompanisë industriale Diehl Metal në Berlin, e cila prodhon raketa ajrore IRIS-T për Ukrainën është përfshirë nga flakët këtë të premte, duke shkaktuar një re të madhe tymi.

Zjarrfikësit paralajmërojnë se mund të zhvillohet cianidi vdekjeprurës i hidrogjenit, dhe njerëzit u detyruan të mbylleshin brenda deri në një njoftim të dytë.

Shteti i Berlinit ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për rrezikun dhe u ka kërkuar njerëzve që të qëndrojnë larg zonës pasi reja e tymit tashmë po shtrihet në pothuajse të gjithë zonën perëndimore të qytetit.

Zjarri është në Diehl Metal Applications në lagjen Lichterfelde të Berlinit, e cila është një kompani motër e Diehl Defense, prodhues i raketave vdekjeprurëse IRIS-T.

Për shuarjen e flakëve janë mobilizuar 170 zjarrfikëse, teksa zjarrfikësit ndërhyjnë nga jashtë, me kostume mbrojtëse specifik. Vendi është evakuuar plotësisht dhe ende nuk raportohet për të lënduar në mesin e punonjësve të fabrikës. Megjithatë, një zjarrfikës ka pësuar shqetësime për shkak të nxehtësisë së madhe të shkaktuar nga zjarri.

Në një video të postuar nga kryeredaktori i Berliner Zeitung, Tomasz Kurianowicz, shihet ndërtesa e përfshirë nga flakët dhe tymi i zi në ajër. Era, e cila fryn në drejtim të veriut, bën që shtëllungat e tymit të zi të ngrihen mbi rajonin e Berlinit.

Zjarrfikësit e Berlinit postuan një hartë në Twitter ku tregon zonën në të cilën ky tym ka të ngjarë të përhapet, shoqëruar me udhëzime sigurie drejtuar popullatës.

Sipas televizionit gjerman RBB, zjarri ka rënë në një dhomë teknike në katin e parë të kantierit.

Prodhuesi i sistemit IRIS-T furnizon Ukrainën

Diehl Metal ka selinë në këtë adresë, por aty ka edhe një degë të Diehl Defense, specifikon Berliner Zeitung. Ky konglomerat gjerman ka disa degë, duke përfshirë një të dedikuar për industrinë e armëve. Ai prodhon veçanërisht sistemin e mbrojtjes kundërajrore IRIS-T SLM, e cilësuar si zemra e të menduarit strategjik të vendeve të NATO-s në Evropë, dhe të cilin Gjermania ia dorëzon ushtrisë ukrainase për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse. Sipas faqes së specializuar të informacionit Oryx, Gjermania ka dorëzuar tashmë 12 sisteme raketash tokë-ajër IRIS-T SLM në Ukrainë që nga tetori 2022, dhe 22 raketahedhës. Prandaj, ky sistem mbrojtës është një nga ata që janë furnizuar në sasitë më të mëdha nga aleatët perëndimorë të Kievit.

Këto bateri raketore janë gjithashtu në qendër të projektit evropian të mbrojtjes kundër raketave, i quajtur European Sky Shield, i udhëhequr nga Gjermania dhe në të cilin marrin pjesë 19 vende, duke krijuar një bazë për blerjen e përbashkët publike të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore për partnerët evropianë. Dhjetorin e kaluar, raporton agjencia Euractiv, Sllovenia bleu dy sisteme IRIS-T SLM, për një shumë prej të paktën 200 milionë euro, sipas të përditshmes sllovene Delo.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH