BE

Europa dhe zhurma e urrejtjes

Shkruar nga Liberale

Europa dhe zhurma e urrejtjes

Nga PAOLO LEPRI

Është një Bashkim evropian i përvuajtur, I shtrënguar të përballohet me urrejtjen , ai që ka dëgjuar shkoqur dje, në secilin kryeqytet  të shtënat e revoles të shpërthyera  kundër njërit prej njëzeteshtatë kryetarëve të qeverive, kryeministrit sllovak Robert Fiko. Ky atentat , që i shtohet sulmeve të ndryshme në ditët e shkuara në Gjermani, është një shenjë alarmi që nuk duhet të lihet në heshtje. Rreziku i destabilizimit është i vërtetë. Dhuna politike ekziston, mund të kapërcejë kufijtë e të zhvillohet në një bashkësi kombesh që e mendonim të sigurtë nga kërcënimet e brëndëshme, të ndërtuar në paqë. Bëhet fjalë tani që të veprohet n’atë mënyrë që shtëpia e përbashkët të përforcojë themelet e saj e të thyejë këdo që don t’a shkatërrojë, nga cilado anë të vijë. Jehona e të shtënave sllovake – të drejtuara kundër një kryeministri që ka mbajtur qëndrime të largëta nga vija e BE mbi armët në Ukrainë dhe Rusinë – i mbivendosen tingujve të hymnit evropian  të luajtur gjatë protestave në Gjeorgji kundër ligjit shkandullor të miratuar për t’i vënë shtupën demokracisë me sebepin e “ndikimeve të huaja”. Por jo të gjithë kanë qenë të vëmendshëm. Bashkimi po kundërvepron me mungesë mprehtësie ndaj një lëvizjeje që ve në rrezik ecjen e një kombi kandidat.

Sigurisht, leximi i vonuar i kësaj piskame mbi të drejtat ve në dukje edhe njëherë   gjëndjen e pothuaj-paralizës  në të cilën dergjet politika e jashtëme  evropiane, e shkaktuar veçanërisht (nuk është i vetmi problem) nga roli johenik i Hungarisë së Viktor Orbanit. Por kuptimi i saj është më i gjërë, jo vetëm sepse protestat e Tbilisit kujtojnë ditët emocionuese të Sheshit Maidan. Pasiguritë evropiane përfaqësojnë një element që duhet parë me shqetësim ndërsa është një luftë mësyese në veprim pranë nesh, që po jeton një fazë përcaktuese: një luftë në të cilën derdhet gjak të pafajshmish e me të cilën drejtuesi i Kremlinit përpiqet të shkatërrojë të njëjtat vlera të nëpërkëmbura në Gjeorgji. Rusët përparojnë në Harkiv, por sahati i BE ecën më ngadalë. Është e domosdoshme të vihet në kyçin e dorës një tjetër, i rregulluar me orën e Kievit. Kundërshtari gjeorgjan Nika Gvaramia, në një intervistë për Corrierin, ka shpjeguar qartë se cilat janë vendimet për t’u ndërmarrë në dobi të mbrojtjes së popullit të tij. “Trysnia – ka thënë – do të duhej të ishte më e fuqishme. Nuk kemi një diktator por oligarkë që kanë përvehtësuar Shtetin dhe kanë nevojë për politikën që të mbrojnë pasuritë e tyre. Prandaj me ata duhet një përçapje ndryshe: sanksione financiare, pasuritë e ngrira, ndalim hyrjeje për Ivanishvilin  dhe familjarët e tij jashtë” Kur do të bëhet e gjitha kjo, nëse është e vërtetë se në Bruksel edhe teksti i një deklarate është bllokuar gjatë për praninë e këndvështrimeve të ndryshme? Ajo që nuk është bërë për Gjeorgjinë na bën të përsiasim duke parë zhvillimet e gjëndjes në Ukrainë, me shpresë se nuk do të kryhen të tjera gabime.

Ngadalësia ka qenë gjithmonë një karakteristikë e Bashkimit evropian. Në të shkuarën ka qenë një vegël për të konkretizuar, hap mbas hapi, projekte që në shikim të parë dukeshin të pasendërtueshme. Tani është ndryshe, nuk mund të pritet. Ukraina po lufton për lirinë e të gjithëve, duhet të mbështetet në mënyrën më   të efektëshme të mundëshme. Duhet të arrijë pa vonesa leja përfundimtare për marrëveshjen në parim të pasurive ruse të ngrira që do t’i lejonte qeverisë së Kievit të zotëronte nga 2,5 deri në 3 miliardë euro për të financuar mbështetjen ushtarake dhe rindërtimin. Ajo që po ndodh në ballin e luftës detyron që fondet të dorëzohen sa më shpejt, duke shmangur vonesat e zakonshme. Ashtu siç duhet nxituar para korrikut, në të cilin fillon kryesia e rradhës hungareze, miratimi i paketës së re t’aksioneve kundër Moskës mbi ndalesën e shpërnguljes së gazit natyral të lëngshëm.

Këto janë disa shembuj të një mbështetjeje që  nuk mund të pakësohet. Madje duhet të bëjë një hop cilësor. Zgjatja e luftës shton  tensionet, krijon një klimë në të cilën lulëzojnë veprime shtazarake, përpjekje destabilizimi, manovra t’errta. Paqja duhet ndjekur me forcë, si në Ukrainë si brënda Evropës. Është në lojë, siç thotë presidenti francez,  Macron, vetë qënia e saj.

“Corriere della Sera”, 5 maj 2024        Përktheu Eugjen Merlika

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH