BE

AFËR&LARG/ Arsyet bazë të humbjes së Le Pen në Francë

Shkruar nga Liberale
AFËR&LARG/ Arsyet bazë të humbjes së Le Pen në

Në raundin e dytë të zgjedhjeve legjislative në Francë, partia e ekstremit të djathtë Fronti Nacional dhe aleatët e saj, të cilët morën më shumë vota në raundin e parë me 30 qershor, doli në vend të tretë sa i përket numrit të deputetëve.

Fronti Nacional do të ketë 143 deputetë, shumë më pak nga sa pritej dhe gjithashtu sa tregonin sondazhet.

Mediat franceze po mundohen ta shpjegojnë përmes disa arsyeve këtë rezultat “befasues”, duke renditur marrëveshjen e realizuar mes partive të majta me ato të qendrës, duke i çuar votat vetëm tek një kandidat në raundin e dytë, sigurisht, nuk kanë lënë pa përmendur as disa specifika të vetë sistemit zgjedhor francez dhe as konfliktet e brendshme brenda partisë së Le Pen, të cilat dolën në sipërfaqe vetëm ditët e fundit.

Pas daljes së rezultatit zgjedhor, presidenti i Frontit Nacional, Jordan Bardella ia atribuoi humbjen “aleancës së pandershme” mes të majtëve dhe partive të qendrës, duke iu referuar strategjisë së rezistencës dhe të ashtuquajturit “fronti republican”, që solli tërheqjen e disa kandidatëve nga votimi me synimin për të përqendruar votat e të majtës dhe të moderuarve kundër të djathtës ekstreme. Bardella mendon se falë kësaj strategjie, partia e tij doli e treta në zgjedhje. Sigurisht, këtu ka disa të vërteta në analizën e tij, por gjërat janë shumë më komplekse se kaq.

Tashmë është krejtësisht e dukshme se sistemi zgjedhor me dy raunde nuk i favorizon më partitë radikale. Flukset e votimeve të këtyre zgjedhjeve kanë treguar dhe kjo nuk është hera e parë, që zgjedhësit, kandidati i të cilëve është eleminuar në raundin e parë ose tërhequr nga gara për raundin e dytë, votojnë për kandidatin që shfaqet më afër ideve të tij.

Së dyti, reputacioni i Frontit Nacional si një parti radikale dhe ekstreme nuk ka lindur dje, por është ndërtuar prej vitesh dhe vazhdon të jetë shumë i përhapur si mentalitet në Francë. Fronti Nacional vazhdon e perceptohet si një parti shumë e përqëndruar në skajin e djathtë dhe kjo vlen jo vetëm për elektoratin e saj, por edhe për drejtuesit apo personalitetet politike që ka arritur të tërheqë rreth saj.

Që kur u vendos në krye të saj, Bardella i ka dhanë një impuls të ri një procesi “normalizimi” që kishte nisur disa kohë më parë nga vetë Marine Le Pen, me qëllimin për t’I dhënë partisë një imazh më të moderuar, duke u përpjekur për të lënë pas, në dukje, një trashëgimi të rëndë raciste dhe antisemite, me dëshirën për të zgjeruar bazën e saj elektorale.

Vetë Bardella ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të ndërtojë një mazhorancë sa më të gjërë. Megjithatë, kjo logjikë, është e vërtetë se arriti të ketë impakt të suksesshëm, për shembull, në vitin 2017 për lëvizjen e Emmanuel Macron, i cili arriti të tërheqë eksponentë politikë dhe kandidatë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta.  Ndryshe, ndodhi me Frontin Nacional, e cila edhe pse u përpoq të moderohej, ajo si forcë politike arriti të tërheqë vetëm kandidatë nga partitë e djathta ose të ekstremit të djathtë.

Në vitin 2022, kur Bardella u bë president i Frontit Nacional, kishte vendosur disa prioritete për partinë e tij; hapjen e partisë ndaj një elektorati të ri, të mbledhë të zhgënjyerit nga partitë e tjera të djathta, si dhe të rinovojë elitën e saj drejtuese, me qëllimin për të lehtësuar rrugën drejt zgjedhjeve të ardhshme. Sipas Le Monde, vetëm qëllimi i parë është arritur dhe vetë fushata për zgjedhjet legjislative ka nxjerrë në pah disa mangësi të tjera të brendshme.

Në disa raste partisë dukej se i mungonte njëfarë koordinimi në krye. Fronti Nacional para së gjithash është një parti me dy liderë, pra me një strukturë hierarkike të paprecedentë për një parti të madhe perëndimore: Bardella dhe Marine Le Pen, kjo e fundit deri vonë fytyra e vetme publike e Frontit Nacional. Në disa raste Bardella u distancua nga disa qëndrime partiake, për shembull, duke folur kundër çmimeve minimale për produktet bujqësore pas protestës së fermerëve të mbështetur gjerësisht nga Fronti Nacional, ku dhe detyroi vetë Le Pen të ndërhynte për të sqaruar se cili ishte qëndrimi tyre zyrtar. Edhe pse Le Pen nuk iu referua kurrë drejtpërdrejt Bardellës, këto dallime ranë në sy. Nuk ishin të vetmit. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet legjislative disa kandidatë partiakë bënë disa deklarata që binin ndesh me programin.

Një problem tjetër i Frontit Nacional ka të bëjë me mungesën e meritokracisë së brendshme dhe me kandidatët që ka zgjedhur. Kishte disa që kishin, para së gjithash, lidhje familjare me disa drejtues të rëndësishëm të partisë dhe kishte edhe nga ata të tjerët që ishin shumë të diskutueshëm: të akuzuar për antisemitizëm, racizëm, dhunë në familje ose teoricienë të konspiracioneve të llojeve të ndryshme.

Së fundmi, kishte me dhjetëra kandidatë pa asnjë pervojë politike, shpesh të rinj dhe që duhet të mishëronin fytyrën e re të Frontit Nacional, duke kontribuar në zgjerimin e bazës së partisë. Megjithatë, ideja që mediat franceze e etiketojnë si “gjenerata Bardella” nuk ia ka arritur qëllimit. Një aspekt tjetër ishin edhe debatet televizive të organizuara nga mediat lokale dhe ato qendrore që nxori në pah papërgatitjen e theksuar të një pjese të mirë të kandidatëve të Frontit Nacional.  

Pas rezultatit të zgjedhjeve. Bardella mori një pjesë të përgjegjësisë, duke deklaruar se “gabime bëhen gjithmonë” dhe se ai kishte bërë disa prej tyre. “Unë marrë pjesën time të përgjegjësisë si për fitoren në zgjedhjet europiane, ashtu edhe për humbjen në zgjedhjet legjislative”. Por deri më tani nuk ka qenë ai që ka paguar faturën e humbjes, por sekretari i përgjithshëm i partisë: Gilles Pennelle, shumë i afërt me Philippe Olivier, këshilltarin kryesor të Marine Le Pen, i cili dha dorëheqjen./Përgatiti Liberale.al (R.D)

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH