BE

A do ja dalë BE të ndërpresë mandatin e Presidencës hungareze në Këshillin e Europës?

Shkruar nga Liberale

A do ja dalë BE të ndërpresë mandatin e Presidencës

Presidenca e radhës e qeverisë hungareze në Këshillin e Bashkimit Europian filloi dhjetë ditë më parë dhe zgjat gjashtë muaj. Disa vende europiane po shfaqin tension për mënyrën se si po vepron kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili qeveris vendin në mënyrë gjysmë autoritare që nga viti, 2010.  

Ka ca ditë që Orban është shënjestër e kritikave për vizitën e tij në Rusi, Ukrainë dhe Kinë. Ai e mori një vendim të tillë individualisht, duke mos u konsultuar me udhëheqësit e tjerë europianë, siç edhe veprohet zakonisht në këto raste.

Një sjellje e tillë dhe disa deklarata të qëllimshme të bëra para se Orban të merrte detyrën, nxiti shqetësimin e shumë vendeve anëtare të BE-së, në lidhje me rolin që duhet të kryejë një qeveri me qëndrime të dukshme raciste, homofobike, joliberale dhe pro-ruse.

Ideja për t’ia ndërprerë mandatin qeverisë hungareze ka lindur herët dhe po qarkullon prej disa javësh, edhe pse është diçka që nuk mund të realizohet kaq lehtë, veçanërisht tashmë, ku disa vende europiane po përpiqen ta frenojnë Presidencën hungareze në mënyrë informale.

Këshilli i BE-së është organi ku ulen përfaqësuesit e 27 qeverive të vendeve anëtare dhe në kuadër të Bashkimit Europian mban pushtetin legjislativ së bashku me Parlamentin European. Çdo vend anëtar ndodh të kryesojë Këshillin çdo 13-14 vjet për gjashtë muaj, periudhë kjo që një qeveri vendos prioritetet e punës së Këshillit dhe kontrollon, megjithëse përkohësisht, një nga dy organet legjislative të Bashkimit Europian.

Prej më shumë se një viti në Europë flitet me shqetësim për mandatin e Hungarisë dhe ka pasur diskutime për mundësinë e pengimit të marrjes së detyrës, veçanërisht për shkak të politikave autoritare të Orban, të gjykuara si të papajtueshme me vlerat themelore të Bashkimit Europian.  

Në fund, u vendos që ky mandat mos të pengohet, edhe pse Hungaria do të udhëheqë në një pozicion shumë të veçantë për BE-në, kjo pasi institucionet europiane janë fokusuar kryesisht në rinovimin e pozicioneve pas zgjedhjeve parlamentare. Vetë Parlamenti Europian, pas një seance të parë plenare që do të zhvillojë pas disa ditësh, do të marrë pushimet verore dhe puna fillon në vjeshtë, atëherë kur mandati i Hungarisë do të ketë përfunduar.

Mirëpo, veprimi i Orban përgjatë këtyre ditëve të fundit, veçanërisht vendimi i tij për të takuar Putin pas dy viteve që kur një lider europian e kishte takuar personalisht presidentin rus, detyroi shumë përfaqësues të BE-së të distancohen publikisht nga veprimi i tij.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Josep Borrel tha se vizita e Orban përputhet vetëm në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe mes Rusisë dhe Hungarisë. Edhe, Charles Michel, president i Këshilit Europian, nënvizoi një mesazh për Orban, duke theksuar se Hungaria nuk është mandatuar të flasë në emër të BE-së me Rusinë. Një mesazhi të ngjashëm iu bashkuan edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe disa krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare, duke përfshirë edhe kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, e cila, së shpejti, do marrë detyrën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme.

“Politico” shkruan se liderët e Europës po përpiqen të pengojnë në mënyrë informale ndikimin e Orbanit, duke vendosur të mos dërgojnë përfaqësuesit e tyre më të rëndësishëm në mbledhjet e Këshillit të Europës që organizohen në Budapest dhe jo në Bruksel.

Vetëm shtatë vende europiane të martën vendosën për të çuar ministrat e tyre të Industrisë në takimin e parë të Këshillit të Europës, ku do flitej për tarifat e automjeteve elektrike kineze. Komisioneri për Tregtinë e Brendshme Europiane, Thierry Breton, i cili është gjithmonë i pranishëm në takime të këtij lloji, nuk u paraqit në mbledhje. Gjermania e zëvendësoi Sekretarin e Shtetit për Çështjet Ekonomike, Sven Giegold në momentin e fundit me një zyrtar të rangut më të ulët, edhe Franca dërgoi gjithashtu një zyrtar të rangut të mesëm.

Media të ndryshme europiane po shkruajnë se Bashkimi Europian duhet të marrë masa më serioze kundër Orbanit. Traktatet e BE-së, parashikojnë mundësinë e ndërprerjes së mandatit, në rast se një propozim i tillë votohet të paktën nga katër të pestat e anëtarëve të Këshillit të Bashkimit Europian, por një votim i tillë është shumë i vështirë për t’u arritur. Jo vetëm se disa vende europiane udhëhiqen nga qeveri të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë që kanë marrëdhënie të mira me Orban, por ato qeveri të moderuara s’mund ta mbështesin një propozim të tillë, veçanërisht nga frika e krijimit të një precedenti.

Të hënën, Orban mbërriti në Uashington, SHBA, për të festuar 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, aleancës ushtarake që përfshin shumicën e vendeve perëndimore./Përgatiti Liberale.al (R.D)\

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH