Dy persona për të cilët prokurorët thonë se ishin të motivuar nga ideologjia e supremacisë së bardhë, u arrestuan me akuza se përdorën aplikacionin e mesazheve të medias sociale Telegram për të inkurajuar krime urrejtjeje dhe akte të tjera dhune kundër pakicave, zyrtarëve të qeverisë dhe infrastrukturës jetike në Shtetet e Bashkuara, njoftoi të hënën Departamenti i Drejtësisë.
Të akuzuarit, Dallas Humber dhe Matthew Allison, përballen me 15 akuza federale në Kaliforni. Ata akuzohen ndër të tjera se nxitën krime të urrejtjes dhe madje vrasjen e zyrtarëve federalë, duke shpërndarë udhëzime për prodhimin e bombave dhe duke komplotuar për të ofruar mbështetje materiale për terroristët.
Dallas Humber, 34 vjeç, nga Elk Grove i Kalifornisë, dhe Matthew Allison, 37 vjeç, nga Boise i Ajdahos u arrestuan të premten. Zoti Humber deklaroi të hënën pafajësinë në sallën e gjykatës në Sacramento. Avokatja e tij, Noa Oren, nuk pranoi të komentojë për çështjen pasdite pas seancës paraprake, të hënën.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse zoti Allison kishte një avokat që mund të fliste në emër të tij.
Padia thotë se dy të akuzuarit drejtuan Terrorgram-in, një rrjet kanalesh komunikimi dhe bashkëbisedimi në Telegram, dhe u kërkonin ndjekësve të sulmonin persona që i shikonin si armiq të të bardhëve, ndërtesat qeveritare, objektet energjitike dhe objektiva të tjera të rëndësishme, si edhe politikanët.
“Masat e sotshme e bëjnë të qartë se departamenti do t’i mbajë shkelësit përgjegjës, përfshirë ata që fshihen pas ekraneve, ndërsa kërkojnë ushtrimin e dhunës së motivuar nga urrejtja”, tha gjatë një konference për shtypin ndihmës prokurorja e përgjithshme Kristen Clarke, zyrtarja kryesore për të drejtat civile në Departamentin e Drejtësisë.
Thirrjet që bënin dy të akuzuarit për ushtrim dhune përfshinin deklarata si “Veproni Tani” dhe “Bëni Pjesën Tuaj”. Përdoruesve që ndërmerrnin veprime në mbështetje të supremacisë së bardhë u thuhej se do të njiheshin si “Shenjtorë”, thanë prokurorët.