Sociale

Bota në 360 gradë

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress- 15 vjet

Titull: Në opinionin tim

Autore: Valbona Zeneli

Nga Michael R. Czinkota

Georgetown University

Washington D. C.

Më pëlqen ky libër. Artikujt e shumtë të dr. Zeneli ofrojnë një pamje 360 gradë të botës. Ky koleksion artikujsh ofron ide për vendime dhe politika të reja që ndikojnë në ngjarjet aktuale, në kohët e turbullta në të cilat jetojmë. Në mënyrë po aq të rëndësishme dr. Zeneli njeh faktin se edhe ata që janë të interesuar në këto tema, mund të mos kenë kohë për të lexuar dhe reflektuar mbi shumë traktate të gjata akademike. Rreziku pasues për botën janë vendime të marra nga politikëbërës, drejtues biznesesh apo edhe vetë kërkues shkencorë, të cilat bazohen në informacione shumë të kufizuara, njohuri të fragmentuara dhe kuptim të përgjithshëm të kufizuar.

Me punën e paraqitur këtu, dr. Zeneli i jep një përgjigje kësaj problematike. Ajo identifikon çështjet thelbësore ndërkombëtare të politikës e tregtisë dhe i adreson ato me thellësi dhe parsimoni, duke ndihmuar kështu në krijimin e një shtrati të ri mirëkuptimi. Përgjigjja e saj e re është përdorimi i artikujve të shkurtër dhe të fokusuar.

Sfondi i saj ofron forcë dhe aftësi unike për dr. Zeneli. Ajo është lindur dhe rritur në Shqipëri, është arsimuar në institucione udhëheqëse globale. E kombinuar me ekspozimin e saj në jetën praktike, ajo është në gjendje të sjellë në analizën dhe shkrimet e saj një kombinim të rrallë të ekspertizës akademike dhe “përvojës të botës reale”. Trajnimi i saj në studimet ekonomike dhe të sigurisë e çoi atë nga Italia, në Shtetet e Bashkuara dhe tashmë në Gjermani në qendrën e famshme Europiane George C. Marshall për Studime të Sigurisë.

Unë e kam njohur Valbonën prej 15 vitesh, kur ajo ishte një nga studentet e mia në lëndën e marketingut ndërkombëtar në Universitetin Georgetown në Washington. Ajo shkëlqente atëherë dhe ka shkëlqyer të gjithë kohës që kam pasur kënaqësinë të punoj me të duke hulumtuar dhe shkruar në lidhje me tema të rëndësishme të fushës së tregtisë globale, marketingut ndërkombëtar, marrëveshjeve tregtare, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Ekspozimi i saj i gjerë dhe pjesëmarrja në administratë, biznes dhe kërkime akademike i lejon asaj të kalojë me lehtësi midis tri botëve dhe të kuptojë perspektivat e ndryshme. Përvoja e saj ndërkombëtare në Marshall Center, ku punon me udhëheqës nga të gjitha kontinentet dhe ku diskutohen çështjet aktuale të sigurisë dhe tendencat e ardhshme, tregohet qartë në komentet e saj krahasuese, që u lejon lexuesve të shohin perspektiva të ndryshme.

Valbona Zeneli ka shkruar shumë artikuj të gjatë kërkimorë në jetën e saj akademike si edhe ka kontribuuar në komentet editoriale në fushën e biznesit dhe sigurisë ndërkombëtare. Puna e saj është botuar në gazeta të njohura si The Diplomat, The Globalist, The National Interest, Atlantic Community, The Japan Times, Guardian SriLanka, Affari Internazionali.

Fokusi i dr. Zeneli në ekonomi, qeverisje dhe aspektet e ndërlidhura të tregtisë botërore ka rëndësi në këto kohë të turbullta. Aftësia e saj për të kapur ngjarjet aktuale dhe për t’i lidhur ato me themelet dhe kërkesat e një vendimmarrjeje qeverisëse të përgjegjshme është me të vërtetë e veçantë. Këtu edhe aftësitë e saj shkëlqejnë më mirë. Aftësia e saj për të kuptuar atë që i bën shoqëritë të suksesshme ose shkaqet që i çojnë ato në dështim, është në të njëjtën kohë edhe delikate, edhe efektive. Duke shqyrtuar mënyrën e të menduarit dhe zhvillimin e saj me kalimin e kohës, ne trajtohemi me njohuri të rëndësishme për shpejtësinë e vazhdueshme të ndryshimit dhe pasojat e vendimmarrjes së keqe. Këta artikuj na japin mësime kyçe.

Ajo është një mbështetëse e fortë e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, dhe një besuese në tregtinë e hapur dhe lidhjet e forta transatlantike. Një europianiste dhe ndërkombëtariste në zemër, këto ndjenja janë të dukshme në shkrimet e saj.

E një rëndësie të njëjtë është edhe fakti se artikujt e paraqitur këtu ndriçojnë gabimet që duhet të shmangen në një periudhë të historisë sonë, ku vendimet e marra me reagim të shpejtë, por shpesh të bazuara në informacione të varfra dhe madje mashtruese, po bëhen normë. Zeneli argumenton me një besim kyç konstant në mendje. Ne jetojmë në një botë të globalizuar dhe jemi shumë të ndërlidhur. Vendimet e politikave rrallë janë ekskluzivisht kombëtare, por kanë reperkusione rajonale dhe globale. Kjo përmbledhje e artikujve të Zenelit është një kujtesë e efektit flutur, ku veprimet në dukje lokale mund të çojnë në ndryshime të mëdha edhe shumë larg. Ngjarje të tilla si qeverisja e dobët, korrupsioni, emigracioni dhe të ngjashme në Ballkan mund të kenë një ndikim të madh në Europë dhe më gjerë. Politikat tregtare duhet të ndahen nga emocionet me një ndjenjë të rritur të ashpërsisë klinike dhe ndershmërisë. Tashmë sot, por edhe më shumë në të ardhmen, këto shqetësime do të dëmtojnë shoqërinë. Prandaj ata kërkojnë vëmendjen tonë të përqendruar.

Artikujt e dr. Zeneli shoqërohen me nga një karikaturë. Me mbështetjen artistike të djalit të saj njëmbëdhjetëvjeçar, ky libër ofron vizatime që pasqyrojnë thjeshtësinë dhe kuptimin e komenteve të saj, duke i tërhequr lexuesit me fjalë e pamje dhe duke shtuar dimensionin e humorit në çështjet e komplikuara të sigurisë.

Artikujt e Valbona Zenelit kapin ato që janë ngjarjet e tanishme, por ajo tregon një histori që do të rezistojë. Prandaj unë ju inkurajoj që të shkoni në dyqanin tuaj më të afërt të librit dhe ta blini këtë libër. Vlen përpjekja juaj për ta bërë këtë, pasi një lexim sistematik i materialit të paraqitur, reflektimi juaj i implikimeve të vazhdueshme dhe rishikimi nga ju i karikaturave, ka të ngjarë t’ju bëjë të jeni personi më i mençur në dhomë kur bëhet fjalë për diskutimet mbi sigurinë, rajonalizmin dhe tregtisë. Urimet e mia shkojnë te dr. Valbona Zeneli për punën e shkëlqyer që ajo ka kryer./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH