Globi

Bosi i ‘Ndrangheta’ lirohet dy herë nga burgu brenda dy muajve

Shkruar nga Liberale
Bosi i ‘Ndrangheta’ lirohet dy herë nga burgu brenda dy muajve

Bosi i organizatës kriminale ‘Ndrangheta’, Domenico Paviglianiti, është lënë i lirë nga një gjykatë italiane për herë të dytë brenda dy muajve.

I kapur fillimisht në Spanjë në vitin 1996, ai u dënua me burgim të përjetshëm, por më vonë ky dënim ishte zbutur në 30 vite dhe më pas ishte lënë i lirë. Në gusht të këtij viti Paviglianiti la qelinë por vetëm pas 24 orëve u arrestua sërish me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës, për numërim të gabuar të viteve të burgimit.

Pala mbrojtëse kërkoi lirimin e tij pasi sipas tyre dënimi duhet të kishte përfunduar në shkurt 2019, pas 23 vitesh. Gjykata e pranoi kërkesën e avokatëve të tij më 18 tetor duke e lënë kështu sërish të lirë.

Prokuroria e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Sipas dokumenteve të reja të marra prej tyre, një prej dënimeve të dhëna ndaj Paviglianitit, me 17 vite burg në vitin 2005, kishte të bënte me ngjarje të ndodhura pas ekstradimit nga Spanja. Kjo do të thotë se dënimi i tij duhet të shtyhej deri në vitin 2027.

Bosi 58-vjeçar i organizatës së famshme mafioze italiane është shpallur fajtor për disa vrasje si dhe për drejtimin e organizatave mafioze. Dënimet e dhëna ndaj tij arrijnë deri në 168 vite burg por një mister tjetër mbetet se si dënimi me burgim të përjetshëm është ulur në 30 vite.

Ndragheta është një organizatë kriminale me qendër në Kalabri dhe që ka shtrirë ndikimin e saj në të gjithë Italinë, veçanërisht në Lombardi dhe veriperëndim të gadishullit Apenin. /Opinion.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH